Nga Besim Dybeli

Në Veri të qytetit të Elbasanit, prej shekujsh rrjedh një lum i lashtë, me emrin Zaranikë. Lumi e ka zanafillën lart, nga mali i Gurit të Zi dhe shkrepat e kuq të Cërujës. Rrjedh i rrëmbyeshëm nën këmbët e Brinjës thikë të Braneshit . Zbret si më i qetë buzë fshatit Rrilë e Gurabardh dhe pastaj kalon nëpër Katundin e Ri e Bradashesh, për tu bashkuar me lumin Shkumbin . Në veri të qytetit , aty ku Zaranikës i është ngritur një pritë që nga koha e monizmit, e tani mjaft e dëmtuar nga koha, fillon një hapsirë e gjërë, mes shkëmbinjve të Gracenit e Letanit nga njera anë dhe kodrave të Godoleshit . Mes malit të Gurit të Zi e të Cërujës nga ana tjetër , që shtrihet deri në Korrë e Mollagjesh në kufi me fshatrat e Tiranës, që njihet me emrin e bukur dhe të lashtë Gryka e Zaranikës, e që ngërthen në vetvete 17 fshatra e 7 male. Me pak përjashtime gjeofizike , e tërë kjo zonë piktoreske mbetet në Njësinë Administrative të Funarit. Emri i lumit Zaranikë, etimologjikisht është i shpjegueshëm nga fjala “zare”, guriçkat e bardha, ose gur zalli, , që mbidhen me shumicë nga rrëpirat e malit të Gurit të Zi e shkëmbinjve sipër lagjeve , Arpe dhe Vërri të Cërujës. Zaranika është e dëgjuar edhe për legjendat e betejat e zhvilluara këtu gjatë viteve. E bëjmë rrugën në këmbë. Ecim rrugës së vjetër, që kanë bërë të parët tanë shekuj me radhë. Është bukuri e rrallë të udhëtosh nëpër gurët si zarë të Zaranikës e të thithësh ajrin e pastër , që zbret nga Brinja e Braneshit e të shijosh aromën e ullinjëve e pemëve për rreth. Dhe ne nisemi pa humbur kohë. Shohim buzë Zaranikës , aty ku ngrihet diga e saj , një lagje të re me shtëpi të bukura e me banorë heterogjenë, të ardhur nga të katër anët e vendit , jeta e përditshme e të cilëve pulson nën kërcënimin e vazhdueshëm të vërshimit të këtij lumi. Erdhën nga malet lart dhe këtu në gurët e Zallit ngritën ndërtesat e tyre, se gjetën truallin me çmim të lirë, pa pronar. Truall i thënçin, truall zalli. Është kjo arsye që shpesh herë mes dimrit, apo shirave të rënda të vjeshtës, vërshon Zaranika e përfshin ç’të gjejë përpara, mall e bagëti, prodhime e shtëpi. Nganjëherë edhe jetë njerëzish. Tani , kjo lagje e përfitori legalizimin. Por , përroi i Zaranikës mbetet gjithmonë një rrezik për banorët e banesat e tyre. Tek e fundit , me forcat e natyrës nuk bëhet shaka. Bashkia jo pak fonde ka hedhur për të frenuar Zaranikën e për të mbrojtur jetën e banorëve.

X X X

Shkelim nëpër gurët e zallit , duke hedhur vështrimin herë nga fshati Gurabardh e herë nga faqja rrëpirë e Godoleshit. Në rrëzë të saj qëndron si relike e vjetër, por me funksionim edhe sot, Mulliri i Ndreut. Ka mbi 100 vjet që është ngritur dhe ka qenë gjithmonë në shërbim të këtyre malsorëve të varfër . Këtu vinin dikur fshatarët nga Braneshi e Bixëllenja, Rrila e Bashabuni me kafshët e ngarkuara me nga dy thasë të endur me lesh dhije, mbushur me misër e prisnin radhën me orë të tëra për të bluar. Ky mulli shërbeu edhe si strehë për partizanë të plagosur.
, apo për fshehjen e vrasëve që kishin marrë gjakun ndaj hasmitë, këtu gjenin një farë sigurie për disa ditë. Në kohën e monizmit, u ndërtuan në qendër të kooperativave mullinj, që punonin me korent. Por këtij mulliri nuk i humbi vlera asnjëherë. Jo vetëm se ai ishte i lakmueshëm për miellin e ëmbël që nxirrte , siç i thoshin fshatarët, por edhe për faktin tjetër se linjat elektrike kishin defekte të shpeshta, dhe banorët e këtyre anëve i drejtoheshin po këtij mulliri për bluarjen e atij grusht misri që kishin prodhuar. Radhët ishin të gjata, por disiplina, zbatimi i rregullit të vendosur fshatçe, ishte edukatë e secilit. Ndeshemi këtyre anëve me toponime të tilla si Gurabardh, Brinjë e Braneshit, Folonjë, Hurdha e Zezë, Konopere, Rrëpirat e Gjarpërit, dhe mundohemi të nxjerrim diçka nga brendësia e tyre. ”Gurabardhi e ka marrë këtë emër, jo vetëm për faktin, se, sipër shtrihet shkëmbi me gurë të bardhë i Letanit, por ky vend të nxjerr faqebardhë edhe për prodhimet bujqësore e blektorale. Për klimën optimal që ka, këtu prodhohen të gjitha llojet e pemëve frutore, që nga rrushi e hurma, e deri tek ulliri e limoni si dhe çdo perime e gjen këtu, të cilat dalin në një periudhë të hershme. Disa toponime të bëjnë të mendohesh thellë. Kështu në këto anë nuk përdoret emri “fole”, por çerdhe. Mirëpo toponimin “Folonjë”, e shpjegojnë me togfjalëshin ”fole uji” . Dhe vërtetë ky lum i vogël mban ujë në të gjitha stinët. Emrin “konopere”, një grykë mes shkëmbinjve, etimologjikisht e lidhin me dy fjalë , “konop”, fjalë e cila në këto anë përdoret “ litar” dhe fjalën“erë” e cila në togfjalëshin “konop- ere” japin besnikërisht pozicionin midis shkëmbinjve të këtij vendi , nga ku fryn vazhdimisht edhe flladi i lehtë në verë e murlani në dimër . Më vështirë do ta kemi kur të ngjitemi në brinjën e Braneshit. Është një e përpjetë thikë, që ta merr shpirtin, deri sa të dalësh në fushën e Funarit, rreth 6 km më lart. Nuk e kuptova, se kisha arritur aty nga mesi i brinjës, mes drunjve dhe ferrave dhe ishte bërë natë. Diçka lëvizte nëpër gëmusha, por këmbët nuk më kthenin më prapa, por më nxitnin të vrapoja më shpejt. Për Brinjën e Braneshit tregojnë shumë histori. Njëra thotë se një banor i Funarit u largua jasht shtetit në Stamboll, në kohën e sundimit turk. Pasi kaluan dhjetra vjet e të afërmit iu lutën të kthehej pranë familjes, ai fillimisht pyeti: – “A është më Brinja e Braneshit? Nëse ajo ekziston, unë nuk kthehem kurrë.. Vetëm atë brinjë nuk dua ta ngjis më… ““.

X X X

Grykën e Zaranikës e kanë bërë të njohur edhe burrat e mençur që kanë lindur e jetuar këtyre anëve. Emrat e tyre përmenden edhe sot në dasma e gëzime, apo në muhabete burrash që bëhen në odat e miqëve. Selim Meta nga Balza e dha jetën në përpjekje me forca diversante, pak kohë, pasi ishte çliruar vendi nga pushtuesit, dhe u përjetësua në këngën e solistëve elbasanas. Isuf Deliu nga Mollagjeshi, ishte patrioti me nam, që u shërbeu bashkëfshatarëve, jo vetëm si drejtues gjatë Luftës, por edhe si hoxhë i fshatit. Ishte i zgjuar dhe gëzonte respekt tek të gjitha shtresat e për këtë arriti të bëhet edhe shef i seksionit të bujqësisë të rrethit të Elbasanit, në kohën më të vështirë. Në Mollagjesh u hap shkolla e parë shqipe që në vitin 1932, si një ndër shkollat e para shqipe pas asaj Normale dhe pas dy të tjerave, njëra hapur në Shpat të Elbasanit e tjetra në Vrap të Peqinit. Dy burrat e Mollagjeshit, Isuf Deliu dhe Sali Çela, morën udhën në këmbë drejt Ministrisë së Arsimit të kohës dhe siguruan pas një argumentimi këmbëngulës një dokument për hapjen e shkollës. Në kthim i zuri nata rrugës, e fjetën në një shpellë, me lejen e hapjes së shkollës në gji dhe të nesërmen dhanë sihariqin e hapjes së saj në gjithë Grykën. Dhe ndonjë skeptiku, që nuk pranonte të silltë fëmijën në shkollë, Sali Çela iu përgjigj me shembullin e tij konkret. Ai qethi si çun vajzën e tij të vetme dhe e dërgoi atë i pari në dhomën me lagështirë që shërbeu si shkollë fillimisht. Ismail Kaca nga Bixëllenja, ishte përfaqësues i Ballit Kombëtar e Rrapush Hyka në Korrë, përfaqësues i Legalitetit, por gjithçka e vunë në shërbim të banorëve të Grykës së Zaranikës e lirisë së vendit. Bashkëpunuan të tre,bashkë me Isuf Deliun, me një qëllim të vetëm, që pushka të ishte drejtuar vetëm kundër pushtuesit e të mbroheshin me çdo kusht vatrat e fshatarëve të kësaj Gryke. Gjurmë kanë lënë edhe Gani Çupi e Hasan Sherja në Korrë ,një fshat me mjaft tradita arsimdashëse, që për njëzet vjet rrjesht drejtuan pushtetin në fshat dhe fituan besimin e popullit, sepse vunë gjithçka me ndershmëri e sinqeritet në shërbim të tij. Nuk ishte atëhere si sot. Nuk njihej atëhere bakshishi e korrupsioni për të zgjidhur hallin. Drejtuesi i pushteti të trokiste vetë tek dera e hallexhiut e jepte ndihmën e duhur. Ishte një ndershmëri e lartë e një lidhje fort e sinqertë midis njerëzish e drejtuesit. Po kështu në fshtatin Mollagjesh ka jetuar edhe plaku mbi 100 vjeçar, Kalem Haka ,që u jepte mend burrave të gjithë Grykës, e para mençurisë së tij tuteshin pushtetarët e ardhur nga rrethi. Sot , njw specialist blektorie në Njësinë Administrative të Funarit ndjehet sa optimist, aq edhe pesimist. Ai flet edhe për turizmin në këtë zonë , por duket se ëndërrat e tij mbeten larg shpresës për realitet. Gryka e Zaranikës është një zonë myslimane e lidhur ngushtë me fenë e me ritet fetare. Dikur gjashtë banorë të fshatit u dënuan me burg për shkak të besimit . Edhe xhamia u mbyll forcërisht pas kësaj ngjarjeje për tu hapur vetëm pas 23 vjetësh, me fillimet e demokracisë. Zëri i hoxhës, që dëgjojmë sonte nga lartësia e minares, është një kujtesë edhe për ata sakrifica të bëra nga ato burra për mbrojtjen e dinjitetit fetar.

X X X

Të gjithë kanë shpresë e besojmë, se rritja e mirëqenies do të jetë e shpejtë, ashtu siç mendojnë shumë banorë të kësaj zone. Le të shpresojmë se Funari me të gjitha fshatrat e grykës së Zaranikës do të jetojnë më mirë dhe për rreth rezervuarëve të kësaj zone , shoqëruar me bukuri magjepëse natyrore , dora e njeriut dhe investimet të të ofrojnë dëshirën për të kaluar këtu kohë pushimesh në dimër e në verë.