ATSH/ Kryetari i bashkisë së Cërrikut, Andis Salla priti sot në një takim zv.shefin e zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Olsi Dekovi.

Kryebashkiaku Salla deklaroi për ATSH-në, se “gjatë takimit miqësor me Dekovin u  diskutua lidhur me përfshirjen e Bashkisë Cërrik në programin e ROMACTED, një program i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, që synon promovimin e qeverisjes së mirë dhe fuqizimit Rom në nivelin vendor”.

“Në këtë takim konfirmova edhe njëherë angazhimin tim politik dhe administratës vendore të Bashkisë Cërrik për kuptueshmërinë e përfshirjes sociale rome në nivel vendor  por edhe gatishmërinë institucionale për të bashkëpunuar me të gjitha palët e interesit të përfshira në këtë program në interesin më të lartë të këtij komuniteti”- tha Salla

Programi zbatohet nga ekipi i Këshillit të Evropës për Romët dhe Udhëtarët dhe Zyra e Drejtorisë së Përgjithshme të Programeve në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni Veriore, Serbi dhe Turqi.

Faza e I-rë e Programit u zbatua për periudhën duke filluar nga 1 maj 2017 deri më 31 dhjetor 2020. Faza II zbatohet nga 1 janari 2021 deri më 31 dhjetor 2024.

Projekti ndjek objektivat e mëposhtëm: përmirësimin e demokracisë lokale, llogaridhënien, gjithëpërfshirjen dhe reagimin ndaj qytetarëve romë dhe në këtë mënyrë përmirësimin e ofrimit të shërbimeve.

Programi është krijuar për të krijuar vullnet politik dhe angazhim të qëndrueshëm politik të autoriteteve lokale, për të rritur qeverisjen lokale demokratike duke fuqizuar komunitetet  lokale rome për të kontribuar në hartimin, zbatimin dhe monitorimin e planeve dhe projekteve zhvillimore në lidhje me to. /j.p/