Ndonëse me ritme më të ngadalësuara në krahasim me dy vitet e mëparshme, shumë shtetas shqiptarë vijojnë të kërkojnë azil në një nga vendet e Bashkimit Europoian edhe në 2023.
Të dhënat e fundit të publikuara nga Eurostat tregojnë se për periudhën janar-shtator, aplikimet e shtetasve shqiptarë për azil ishin gati 12 mijë (11,865). Në krahasim me vitin 2022, kur u shënua niveli më i lartë i pas pandemisë, kërkesat për azil kanë rënë me 32%, duke treguar për një ritëm më të ulët të ikjeve në raport me vitin e mëparshëm.
Gjithsesi, në shtator u konstatua sërish një rritje e fluksit në krahasim me muajt e mëparshëm. Në shtator, kërkesat për azil arritën në 1240, që është niveli më i lartë që nga muaji mars, kur kishte mbi 1500 aplikime. Në gusht niveli i aplikimeve kishte rënë në rreth një mijë.
Përgjithësisht, rreth 60% e atyre që kërkojnë azil aplikojnë për herë të parë, ndërsa pjesa tjetër janë riaplikime.
Franca vijon që të jetë shteti kryesor ku drejtohen shtetasit shqiptarë që duan të kërkojnë azil, si rrjedhojë e politikave më sociale që ai ndjek. Në vend të dytë është Gjermania, e ndjekur nga Italia.
Burimi: Eurostat, përpunime të Monitor



























