TIRANË, 25 shkurt/ATSH/ Gati 1,2 milionë persona hynë në Shqipëri gjatë muajit janar të këtij viti, 3,3% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke konfirmuar një rritje të lëvizjeve drejt vendit në nisje të 2026-s.

Nga këta, 644.363 ishin shtetas shqiptarë, duke shënuar një rritje prej 7,8%, ndërsa shtetasit e huaj arritën në 552.187, me një ulje të lehtë prej 1,5%.

Sa i përket origjinës së vizitorëve të huaj, Europa Jugore mbetet rajoni dominues, duke përbërë pjesën dërrmuese të hyrjeve, e ndjekur nga Europa Perëndimore.

Vizitorët nga Afrika, Amerika dhe Azia përfaqësojnë një peshë më të kufizuar në totalin e hyrjeve.

Udhëtimet për qëllime personale vijojnë të mbeten arsyeja kryesore e hyrjes së shtetasve të huaj në territorin shqiptar, ndonëse me një rënie të lehtë krahasuar me një vit më parë.

Ndërkohë, hyrjet për motive biznesi dhe profesionale kanë shënuar një tkurrje më të dukshme.

Të dhënat konfirmojnë se Shqipëria ruan pozicionin e saj si destinacion i preferuar për vizitorët nga Evropa Jugore dhe Perëndimore, me një profil të qartë udhëtimesh të orientuara kryesisht drejt qëllimeve personale dhe turistike.

/a.f/