ATSH-DPA/ – Përfaqësues të niveleve të larta të qeverisë amerikane dhe qeverisë gjermane u takuan lidhur me mosmarrëveshjet mbi gazsjellësin ruso-gjerman ”Nord Stream 2” që për SHBA konsiderohet edhe si çështje e sigurisë kombëtare.
”Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i presidentit Joe Biden, Jake Sullivan u takua me këshilltarin e politikës së Jashtme të kancelares gjermane Angela Merkel Jan Hecker”, njoftoi Këshilli i Sigurimit Kombëtar në Uashington.
Bisedimet e tyre u përqendruan gjithashtu në shqetësimet e SHBA në lidhje me ndikimin e gazsjellësit në Ukrainë dhe sigurinë energjetike europiane.
Temat e tjera përfshinin takimet e ardhshme të G7 dhe vendet e NATO-s, luftën kundër pandemisë së koronavirusit dhe sigurinë kibernertike.
Në muajin maj, qeveria e SHBA qëllimisht u përmbajt nga vendosja e sanksioneve ndaj kompanisë që operonte gazsjellësin.
Në një raport të Departamentit të Shtetit drejtuar Kongresit Amerikan, u deklarua që mosvendosja e sanksioneve ndaj ”Nord Stream 2 AG” në Zug, Zvicër, CEO-s së saj gjerman Matthias Warnig dhe katër punonjës të tjerë ishte në “interesin kombëtar”.
Arsyetimi i dhënë ishte se sanksione të tilla do të ndikonin negativisht në marrëdhëniet e SHBA me Gjermaninë, BE dhe aleatët dhe partnerët e tjerë europianë. /os/


























