Një hap i rëndësishëm drejt një qyteti më të gjelbër dhe më modern është hedhur sot në Elbasan, ku Bashkia e Elbasanit dhe GIZ (Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit) nënshkruan Marrëveshjen e Mirëkuptimit për zbatimin e projektit “Transporti Urban i Qëndrueshëm në Shqipëri – faza e tretë (SUTiII)”.
Ky projekt ka si qëllim modernizimin e sistemit të transportit publik, promovimin e mjeteve alternative si biçikleta dhe përdorimin e teknologjive miqësore me mjedisin. Nëpërmjet tij synohet që qytetarët e Elbasanit të kenë një transport më efikas, më të sigurt dhe më pak ndotës, duke ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës dhe uljen e ndotjes së ajrit.
Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, gjatë fjalës së tij theksoi rëndësinë e këtij projekti për të ardhmen e qytetit:
“Elbasani ka një traditë të gjatë industriale, por ne kemi marrë përsipër sfidën që ta kthejmë në një qytet të gjelbër, të qëndrueshëm dhe miqësor me çdo qytetar. Ky projekt, i realizuar me mbështetjen e GIZ, është një hap konkret për të sjellë transport publik modern dhe për të nxitur përdorimin e biçikletave dhe mjeteve ekologjike. Është një investim për të tashmen, por mbi të gjitha për të ardhmen e brezave të rinj.”
Projekti SUTiII do të përfshijë një sërë masash praktike, ndër të cilat planifikimi i linjave të transportit, vendosja e stacioneve moderne, zhvillimi i infrastrukturës për biçikleta dhe digjitalizimi i shërbimeve për qytetarët.
Ky bashkëpunim tregon edhe një herë orientimin e qartë të Bashkisë së Elbasanit drejt zhvillimit të qëndrueshëm urban dhe respektit për mjedisin. Me këtë nismë, Elbasani rikonfirmon rolin e tij si një ndër qytetet që po udhëheq ndryshimet pozitive në Shqipëri.
Edlira Xherri