Lufta e Rusisë në Ukrainë – e nisur më 24 shkurt – ka lënë dhjetëra-mijëra njerëz të vdekur, ka zhvendosur miliona të tjerë dhe ka nxitur krizë ekonomike në gjithë botën.
Vdekje
Prej nisjes së luftës, 5.237 civilë janë regjistruar si të vrarë dhe 7.035 si të plagosur, ndonëse shifrat aktuale besohet se janë shumë të larta, ka thënë Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut më 25 korrik.
Shumica e të vrarëve apo të plagosurve kanë qenë viktima të armëve shpërthyese sikurse, artileria, raketat dhe sulmet ajrore, ka thënë kjo Zyrë.
As Rusia, as Ukraina nuk kanë dhënë detaje për viktimat ushtarake të konfliktit.
Inteligjenca amerikane vlerëson se rreth 15.000 ushtarë rusë janë vrarë deri më tani në Ukrainë dhe numër tre herë më i lartë i ushtarëve janë plagosur.
Kjo shifër është gati e njëjtë me numrin e forcave sovjetike që janë vrarë gjatë pushtimit të Afganistanit nga Moska në periudhën 1979-1989.
Humbjet e ushtrisë ukrainase janë po ashtu të mëdha, por me gjasë më të vogla sesa të Rusisë, ka thënë shefi i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), William Burns.
Konflikti në lindje të Ukrainës ka nisur më 2014, pasi presidenti pro-rus, Viktor Yanukovych, është rrëzuar në protestat e Majdanit në Ukrainë.
Rusia më pas ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë, dhe prej atëherë forcat e mbështetura nga Rusia kanë luftuar me forcat e armatosura ukrainase në rajonin lindor të Donbasit.
Rreth 14.000 njerëz janë vrarë në periudhën 2014-2022, sipas Zyrës së OKB-së për të Drejta të Njeriut.
Aty përfshihen edhe 3.106 civilë.
Mjerimi
Prej 24 shkurtit, një e treta e banorëve të Ukrainës – vend me mbi 41 milionë banorë – është detyruar të largohet nga shtëpitë.
Sipas Agjencisë së OKB-së për Refugjatë, kjo luftë ka nxitur krizën më të madhe të shpërnguljes në botë.
Aktualisht, më shumë se 6.16 milionë refugjatë nga Ukraina janë nëpër vendet evropiane.
Numri më i madh i tyre është në Poloni, Rusi dhe Gjermani.
Përveç humbjeve në njerëz, Ukraina ka humbur kontrollin e rreth 22 për qind të territorit prej kur Rusia ka aneksuar Krimenë në 2014, sipas disa kalkulimeve të agjencisë së lajmeve, Reuters.
Ky vend ka humbur një pjesë të vijës bregdetare, ekonomia e saj është shkatërruar dhe disa qytete janë kthyer në rrënoja, si pasojë e bombardimeve ruse.
Çmimet
Pushtimi dhe sanksionet e Perëndimit ndaj Rusisë kanë ndikuar në rritje të mprehtë të çmimeve të ushqimeve, metaleve dhe energjisë.
Për pasojë, bota rrezikon të përballet me krizë ushqimore, ndërkohë që inflacioni godet ashpër ekonominë globale.
Rusia është eksportuesja e dytë më e madhe në botë pas Arabisë Saudite dhe ekspertuesja më e madhe në botë e gazit natyror, miellit, dhe elementit kimik – palladiumit. Tch




























