TIRANË, 13 dhjetor /ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, njëkohësisht drejtues politik i qarkut të Elbasanit, Damian Gjiknuri ishte sot në Belsh.

Gjiknuri bashkë me kryetarin e bashkisë Arif Tafani dhe ambasadorin e Austrisë në Tiranë, Christian Steiner morën pjesë në aktivitetin “Fuqizimi i ofertës turistike me anë të zgjidhjeve ekologjike”, një projekt i realizuar nga bashkia Belsh me mbështetjen financiare nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe ambasada e Austrisë në Tiranë.

Gjiknuri u shpreh në një postim në rrjetet sociale se ky është një projekt me qëllim promovimin e ekoturizmit në këtë zonë përmes aktiviteteve të ndryshme.

“Falë pozitës gjeografike dhe punës së palodhur të kryebashkiakut Arif Tafani, Belshi ofron kushte të mira edhe për aplikimin e ekoturizmit përmes sportit të çiklizmit”, theksoi Gjiknuri.

“Aktivitete të tilla janë të rëndësishme sepse nxisin edhe më shumë shtimin e numrit të turistëve të grupmoshave të ndryshme”, u shpreh Gjiknuri.

Gjiknuri përgëzoi kryebashkiakun Tafani që ka sjellë mjaft investime në zonë përmes aplikimit dhe implementimit të projekteve falë mbështetjes së Fondit Shqiptar të Zhvillimit, AZHBR-së e donacioneve të huaja.