ATSH/ Në fshatin Shushicë të Elbasanit së shpejti do të jetë gati rruga e re që u vjen në ndihmë mbi 3000 banorëve të zonës.
Kjo rrugë është edhe një nyje lidhëse mes rrugës nacionale dhe fshatrave të njësisë administrative Shushicë.
Kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja dhe drejtuesi politik i qarkut të Elbasanit deputeti Damian Gjiknuri dhe deputetja e Partisë Socialiste, Desantila Tahiraj inspektuan nga afër punimet që po kryhen në këtë rrugë.
Llatja theksoi se “njësia administrative Shushicë është një nga fshatrat më të mëdhenj që ne kemi dhe investimet tona kanë qenë të vazhdueshme në këtë njësi, por edhe në fshatin Shushicë. Po rehabilitohet rruga e fshatit që lidhet drejtpërdrejt nga rruga nacionale në të gjithë fshatin”.
Sipas tij, është një aks lidhës mes dy segmenteve rrugore, një investim i shumëkërkuar nga banorët.
“Vëmendja jonë ka qenë e madhe gjatë këtij mandati kemi filluar me investime edhe në njësi të tjera administrative”, tha Llatja.
Gjiknuri tha se “ky investim kompleton infrastrukturën rrugore të fshatit, është në vazhdën e disa investimeve që po bën bashkia Elbasan kryesisht ne periferi të qytetit apo dhe në zona rurale. Fokusi është që në fund të këtij mandati pse jo dhe mandatin tjetër, jam i bindur që PS në Elbasan do ta ketë mandatin tjetër, të vazhdojmë më të gjitha investimet e nevojshme për infrastrukturë rurale”.
“Janë zona që janë shumë afër qytetit, meritojnë të kenë një infrastrukturë më të mirë dhe patjetër që jeta ekonomike do të zhvillohet më shumë nga kjo infrastrukturë e përmirësuar”, tha Gjiknuri.
Deputetja Desantila Tahiraj tha se “bashkia Elbasan vazhdon punën me plotësimin e nevojave dhe përmirësimin e cilësisë së jetesës së qytetarëve kudo ku ato ndodhen jo vetëm në qendër të qytetit, por edhe në Shushicë, Shirgjan, Gjergjan, Tregan etj”.



























