Në qendrën turistike të Gjinari, u zhvillua promovimi i librit “Politika si Ide” të autores dhe ish-deputetes Valentina Leskaj, një vepër reflektuese mbi përvojat, sfidat dhe filozofinë e saj politike gjatë viteve në jetën publike.

 

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të pushtetit vendor, intelektualë, përfaqësues të shoqërisë civile, si dhe banorë të zonës, të cilët ndoqën me interes diskutimin mbi rolin e politikës në shoqërinë shqiptare dhe nevojën për rikthimin e vlerave dhe integritetit në jetën publike.

 

Gjatë fjalës së saj, znj. Leskaj ndau me të pranishmit motivet që e shtynë të shkruajë këtë libër, duke theksuar se politika nuk duhet parë vetëm si pushtet apo interes, por si një ide që lidhet ngushtë me shërbimin ndaj njerëzve dhe zhvillimin e shoqërisë.

 

Të pranishmit e vlerësuan librin si një dëshmi të rëndësishme të një periudhe të gjatë tranzicioni politik në Shqipëri, por edhe si një thirrje për një qasje më etike dhe vizionare në përfaqësimin publik.

Libri është një refleksion e analizë mbi disa nga çështjet me të cilat përballet shoqëria jonë, po jo vetëm. Janë çështje që lidhen me tranzicionin dhe mënyrën e funksionimit të politikës, me pjekurinë demokratike të shoqërisë, me kulturën e dialogut politik, zhvillimet demografike etj. Përveçse një analize si i shoh këto çështje, libri ka dhe një dimension krahasues me eksperienca e modele të vendeve të tjera që kam patur fatin ti njoh edhe për shkak aktivitetit ndërkombëtar. E sjell këtë eksperiencë jo thjesht si kronikë udhëtimesh, po si një nevojë për reflektim në sjelljet e politikës tonë, që në disa raste ka mbajtur peng edhe proceset integruese të vendit, për interesa të ngushta të politikës së ditës. ”

Ngjarja u shoqërua me diskutime të hapura dhe reflektime mbi sfidat që përballet sot politika shqiptare, ndërsa promovimi në Gjinar u konsiderua një ndalesë simbolike në zemër të natyrës, për të rikthyer dialogun mbi idetë, jo vetëm mbi interesat.

EDLIRA XHERRI