Në aktivitetin e titulluar “Takim me Bashkim Finon”, të pranishëm kanë qenë familjarë dhe miq të familjes Fino, përfaqësues të pushtetit vendor dhe institucioneve publike, bashkëpunëtorë në vite të tij, të cilët vlerësuan cilësitë njerëzore dhe kontributin politik të Bashkim Finos.
Kryetari i bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi u shpreh se “e kishim detyrim organizimin e një aktiviteti homazh, në përkujtim të jetës dhe veprimtarisë politike të Bashkim Finos.
Gjirokastra është vendlindja e tij por edhe qyteti ku nisi aktivitetin politik, duke shërbyer si kryetar i bashkisë për 4 vite me radhë, në periudhën 1992-1996. Bashkimi ishte një njeri i mirëkuptueshëm, human dhe i respektuar. Krahas aftësive politike është edhe ky profil njerëzor që do të bënte që Bashkim Fino, të spikaste në detyrën e  kryeministrit, si njeri i pajtimit në vitin e vështirë 1997”.
Për prefektin Odise Kote, tek Bashkim Fino gërshetoheshin cilësitë njerëzore dhe ato intelektuale.
“Ai diti t’i bënte ballë mjaft mirë sfidave kur shërbeu si Kryeministër i vendit në vitin e vështirë 1997”, u shpreh prefekti Kote.
Ndërkohë edhe vajza e tij Megi Fino përcolli përjetimet dhe emocionet në vite nga marrëdhënia familjare.
Përgjatë aktivitetit u shfaq filmi dokumentar “Miku ynë, njeriu i pajtimit” i realizuar nga gazetari Anxhelo Xhaçka për jetën dhe aktivitetin politik të Bashkim Finos.
Bashkim Fino u nda para kohe nga jeta, në muajin  mars të këtij viti në moshën 59-vjeçare si shkak i COVID-19. Fino e nisi aktivitetin politik në vendlindje duke shërbyer si kryetar i bashkisë së Gjirokastrës.
Ai spikati si kryeministër i vendit në drejtimin e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar në vitin e vështirë 1997, ndërsa ka qenë disa herë ministër si dhe është zgjedhur deputet i parlamentit në gjashtë legjislatura.