ATSH/ Për të përmirësuar njohuritë mbi gjitarët e rajonit të Gjirokastrës, Shoqata e Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) bashkëpunoi me Fakultetin e Shkencave të Natyrës (UT) dhe Administratën Rajonale të Zonave të Mbrojtura Gjirokastër, për realizimin e një studimi me anë të kamerave kurth dhe kurtheve Sherman.

Studimi u realizua në tre zona të mbrojtura Parku Natyror “Bredhi i Kardhiqit”, Parku Natyror “Zagori” dhe Parku Natyror “Bredhi i Sotirës”. Të dhënat e përfituara do të përdoren për përditësimin e atlasit të 2-të evropian të gjitarëve.

Ky studim gjeneroi të dhëna të rëndësishme për praninë dhe shpërndarjen e gjitarëve të vegjël (lakuriqët e natës nuk përfshihen) dhe atyre trup mesëm ose mëdhenj, të cilët klasifikohen si lloje me status të përkeqësuar dhe të rrezikuar sipas listës së kuqe të IUCN.

Administrata e Zonave të Mbrotjura Gjirokastër bën të ditur se “këtu mund të përmendim ariun e murrmë, ujkun, dhinë e egër, derrin e egër, kaprollin, dhelprën dhe macen e egër. U identifikuan përmes kurtheve të Sherman-it dy lloje brejtësish (Apodemus sylvaticus dhe Apodemus flavicollis), ndërsa gjurmë të pranishme të miut urith të verbër, u regjistruan në fushën e Çajupit”.

Sondazhi i gjerë i monitorimit ishte i suksesshëm, për sa i përket sasisë së informacionit dhe rezultateve të përfituara.

Gjithashtu, ky studim shërbeu edhe për rritjen e kapaciteteve të AdZM Gjirokastër, duke ofruar edhe një trajnim mbi metodat e monitorimit të gjitarëve.