ATSH-DPA/ – Një draft i ri i marrëveshjes që mund të bihet dakord në bisedimet e klimës COP26 në Glasgou duket se ka zbutur gjuhën në përpjekjet për të frenuar karburantet fosile.
Drafti i parë i “vendimit mbulues” për marrëveshjen gjithëpërfshirëse në samit u bëri thirrje vendeve “të përshpejtojnë heqjen graduale të qymyrit dhe subvencioneve për lëndët djegëse fosile”.
Në një draft të ri, të bërë sot në mëngjes, është zbutur gjuha në thirrjen për vendet për të përshpejtuar kalimin drejt sistemeve të energjisë së pastër “duke përfshirë rritjen e shpejtë të prodhimit të energjisë së pastër dhe përshpejtimin e largimit të energjisë së pandërprerë të qymyrit dhe subvencioneve joefikase për lëndët djegëse fosile”.
Përfshirja e një referimi për lëndët djegëse fosile është e para për një vendim të OKB-së të këtij lloji, por pritet të ketë një reagim të ashpër nga disa vende, ndërkohë që teksti i draftit mund të mos mbijetojë deri në përpilimin përfundimtar të tij.
Bisedimet vazhduan gjatë gjithë natës pasi negociatorët janë nën presion për të zgjidhur çështjet rreth financave për vendet e varfra, karburantet fosile, përpjekjet e vendeve për të ulur emetimet në vitet 2020 dhe rregullat për tregjet e qymyrit dhe transparencës.
Drafti i fundit duket se ka forcuar gjuhën për t’i bërë vendet të “rishikojnë dhe forcojnë objektivat e vitit 2030” në planet e tyre kombëtare të veprimit deri në fund të vitit 2022, për t’u përafruar me qëllimet globale për të kufizuar rritjen e temperaturës në “shumë nën” 2,0 gradë Celsius dhe të përpiqen t’i kufizojnë ato në 1,5 gradë Celsius.
Versioni i ri “kërkon” nga vendet ta bëjnë këtë, që mendohet të jetë gjuhë më e fortë brenda sistemit të OKB-së se sa versioni i mëparshëm, i cili vetëm ”i nxit ta bëjnë këtë”.
Tani ka një datë – që mungon në draftin e parë – kur vendet e zhvilluara duhet të dyfishojnë sigurimin e financave për të ndihmuar vendet në zhvillim të përshtaten me ndryshimet klimatike – deri në vitin 2025./ a.jor.


























