Një tjetër investim i rëndësishëm në infrastrukturën urbane të Elbasanit ka përfunduar me sukses: rruga “Mefail Biçaku” në Rajonin Nr. 3 është asfaltuar dhe sistemuar plotësisht.

 

Kjo rrugicë lidhëse mes “17 Marsit” dhe “Zogut të Parë” ka një rëndësi të veçantë për komunitetin, pasi u shërben jo vetëm banorëve të zonës, por edhe dhjetëra bizneseve të vogla që japin gjallëri përditshmërisë së lagjes. Prej vitesh e amortizuar dhe shpesh e pakalueshme, sot kjo rrugë është rikthyer në funksion të plotë për qytetarët.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, thekson se ky investim është pjesë e një programi më të gjerë ndërhyrjesh në infrastrukturë, që synon jo vetëm rikonstruksionin e rrugëve kryesore, por edhe të atyre dytësore e rrugicave të lagjeve – shpesh të lëna pas dore për dekada me radhë.

 

“Mefail Biçaku” është vetëm një prej shumë segmentesh që po marrin jetë të re, si rezultat i vizionit për një qytet më të sistemuar, më të sigurt dhe më të aksesueshëm për të gjithë.

 

Bashkia Elbasan vijon punën me ritëm të lartë në çdo rajon të qytetit, duke dëshmuar se zhvillimi nuk ndalet dhe se çdo lagje meriton vëmendje dhe standard.