Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, së bashku me deputeten Evis Kushi, vizituan nga afër sipërmarrjen e fermerit Marsid Sula në Jagodinë, një shembull i suksesshëm i bujqësisë moderne dhe i forcimit të zinxhirit prodhim–treg. Gjatë takimit, ata vlerësuan investimet e realizuara dhe theksuan mbështetjen e vazhdueshme të bashkisë për iniciativa që nxisin ekonominë rurale dhe zhvillimin e gjelbër.
Fermeri Marsid Sula ka investuar jo vetëm në sera bashkëkohore, por edhe në ngritjen e një pike grumbullimi, duke krijuar kushte më të mira për ruajtjen dhe tregtimin e prodhimit. Aktualisht janë të mbjella rreth 3 hektarë sera me lakër Brukseli dhe pritet që sezoni të mbyllet me afro 50 ton prodhim.
Një pjesë e konsiderueshme e kësaj sasie ka nisur tashmë drejt tregjeve europiane, kryesisht në Poloni dhe Kroaci, çka dëshmon se prodhimet e Jagodinës përmbushin standardet e cilësisë dhe kanë potencial të fortë konkurrues jashtë vendit.
Ndërtimi i autostradës bujqësore ka luajtur rol kyç në këtë zhvillim, duke lehtësuar transportin, zgjeruar sipërfaqet e mbjella dhe rritur volumin e tregtimit. Ky investim infrastrukturor ka sjellë ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen ekonomike të zonës dhe në përmirësimin e jetës së fermerëve.
Bashkia e Elbasanit do të vijojë të mbështesë projekte që rrisin prodhimin vendas, mbrojnë mjedisin dhe e afrojnë bujqësinë me tregjet europiane, duke e kthyer Jagodinën dhe gjithë territorin në një model zhvillimi të qëndrueshëm.


























