Viti 2024 ka shënuar rekorde historike për turizmin kulturor në Shqipëri.

 

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka publikuar shifrat të cilat flasin qartë për rritjen e vizitueshmërisë që nga kalatë madhështore, muzetë plot histori, e deri tek parqet arkeologjike që magjepsin çdo vizitor.

 

Prej janarit e deri në shtator të këtij viti, monumentet e kulturës e objekte të trashëgimisë kulturore u vizituan prej 1,092,584 personash. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023, kjo shifër është 35% më e lartë. Sitet kulturore në janar-shtator 2024 patën 40% më shumë turistë të huaj dhe 31% më shumë vizitorë vendas.

 

Listën e destinacioneve më të vizituara e kryeson Kalaja e Gjirokastrës me 196,515 vizitorë. Pas saj renditet Parku Kombëtar i Butrintit me 127,753 vizitorë dhe në vend të tretë për nga vizitueshmëria qëndron Muzeu “Gjergj Kastrioti”, Krujë me 100,874 vizitorë.

 

Kjo vizitueshmëri e lartë, përkthyer në shifra shkon në 394 mln lekë të ardhura, rreth 41% më shumë se në 2023. Nga 367 mijë vizitorë të muzeve, shumica e tyre preferuan Qendrën Muzeore Krujë, Muzeun “Shtëpia me gjethe” dhe Qendrën e Muzeumeve Berat.

 

Ndër parqet arkeologjike kryeson Butrinti me 127 mijë vizitorë, ndjekur nga Shkodra e Apolonia.atsh