Deklaratat u bënë gjatë tryezës konsultative të zhvilluar nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore mbi projektligjin për Financimin e Partive Politike, me mbështetjen e Prezenca e OSBE-së në Shqipëri.
Të pranishëm në aktivitet ishin dy bashkëkryetarët e Komisionit, Damian Gjiknuri nga Partia Socialiste dhe Oerd Bylykbashi nga Partia Demokratike, ambasadori i OSBE, Michel Tarran, si dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.
“Mirëpres mirëkuptimin e përbashkët mes dy bashkëkryetarëve që reforma duhet të përmbushë jo vetëm pritshmëritë e qytetarëve, por edhe standardet ndërkombëtare”, u shpreh Gonzato.
Sipas tij, interesi i BE-së në punën e Komisionit është i natyrshëm dhe lidhet drejtpërdrejt me fazën kritike të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
“Forcimi i sundimit të ligjit dhe dëshmimi i përkushtimit të palëkundur ndaj standardeve europiane është kyç për Shqipërinë. Kjo lidhet edhe me fazën specifike të procesit të anëtarësimit, sidomos me përputhshmërinë me piketat e ndërmjetme. Kjo krijon edhe një afat dhe një ndjenjë përgjegjësie për Komisionin”, theksoi ai.
Ambasadori Gonzato nënvizoi se reforma zgjedhore nuk është thjesht një proces ligjor, por një nevojë demokratike.
“Besimi në zgjedhje është themeli i besimit në vetë demokracinë. Qytetarët duhet të jenë të bindur se konkurrimi politik ka qenë i lirë, i ndershëm dhe i pandikuar nga ndikimet e padrejta. Pa transparencë në financimin politik, ky besim nuk mund të ekzistojë”, deklaroi ai.
Ai shtoi se kur burimet e financimit janë të paqarta ose mbikëqyrja është e dobët, besimi në institucionet demokratike minohet në mënyrë të pashmangshme.
“Financimi politik është vërtet një parakusht për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Reforma zgjedhore, sidomos sa i përket financimit të partive dhe fushatave, mbetet një prioritet vendimtar në kuadër të kornizës së BE-së dhe lidhet ngushtë me Themeloret”, u shpreh Gonzato.
Ai vuri në dukje se rekomandimet që po diskutohen mbështeten në vite monitorimi nga OSBE-ODIHR, Komisioni i Venecias, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe shoqëria civile.
Sipas tij, sfidat e evidentuara përfshijnë keqpërdorimin e burimeve publike, boshllëqet në mbikëqyrje, fushatat digjitale dhe financimin nga palë të treta, çështje që kërkojnë adresim në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe me kontekstin shqiptar.
“Reforma zgjedhore duhet të garantojë pluralizmin politik dhe një fushë loje të barabartë për të gjithë aktorët politikë. Kuadri ligjor duhet të sigurojë konkurrencë të ndershme, të mbështesë aktorët më të vegjël dhe të parandalojë shtrembërimet nga ndikimi i padrejtë”, theksoi ai.
Ambasadori theksoi gjithashtu rëndësinë e pjesëmarrjes gjithëpërfshirëse, duke përmendur barazinë gjinore.
“Ndërkohë që Shqipëria zbaton kuota gjinore, rregullat e financimit politik duhet të mbështesin më tej barazinë gjinore përmes mekanizmave të financimit publik. Përparimi i pjesëmarrjes së grave forcon reziliencën demokratike dhe besimin publik”, tha ai.
Në përfundim, Gonzato nënvizoi rëndësinë e transparencës së plotë financiare dhe koherencës ligjore.
“Transparenca nuk duhet të kufizohet vetëm në raportet paszgjedhore. Votuesit duhet të kenë qasje në informacion kuptimplotë, me afate të qarta dhe metoda efektive për deklarimin publik të të ardhurave, shpenzimeve, aseteve, borxheve, huave dhe donatorëve. Po ashtu, projektligji i ri duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kodin Zgjedhor dhe ligjin për partitë politike, duke shmangur mbivendosjet dhe boshllëqet”, përfundoi ambasadori i BE-së.
/gj.m/r.e/


























