ATSH/ Gramshi, i ndodhur në pjesën juglindore të Shqipërisë vitet e fundit ka pësuar një transformim rrënjësor duke u kthyer në një qendër urbane me hapësira publike dinjitoze për banorët, ndërkohë që ka tërhequr edhe mijëra turistë vendas e të huaj në pikat turistike të tij.

Kryetari i bashkisë së Gramshit, Klodian Taçe, tha sot për ATSH-në se “vitet e fundit në bashkinë e Gramshit falë granteve të qeverisë janë kryer një sërë investimesh. Investimet janë kryer kryesisht në infrastrukturë rrugore, kanalizime dhe në sistemimin e lulishteve dhe zonave të gjelbra”.

“Aktualisht është duke vijuar puna me ritme të shpejta në rrjetin e brendshëm të ujësjellësit, ku do përfitojnë 14.600 banorë në qytetin e Gramshit, si dhe zonat përreth”,- theksoi Taçe.

Për kryebashkiakun Taçe, prioritet janë dhe investimet e tjera të planifikuara, të cilat janë në fazën e tenderimit dhe që do nisin punimet brenda vitit.

“Brenda vitit 2020 do të nisim kanalizimin e KUZ në lagjen Llapushaj Qytet, rehabilitimi i unazës së qytetit dhe të tjera projekte në vazhdimësi”.

Sa i përket zonave rurale, Taçe, shprehet se “bashkia do nisi punimet brenda vitit edhe për asfaltimin e rrugës dhe kanalizimeve të ujësjellësit në fshatit Çekin. Ndërtimin e trotuarit qe lidh fshatin Pishaj me hyrjen e qytetit. Ndërtimin e hapësirës së re për varrezat e qytetit që ndër vite ishte një shqetësim i vazhdueshëm për qytetarët e Gramshit”.

Kryebashkiaku Taçe bën të ditur se një vëmendje të veçantë do ketë edhe turizmi malor.

“Gramshi është i rrethuar nga bukuri të shumta natyrore dhe për këtë arsye bashkia Gramsh, synon të përmirësojë ndjeshëm situatën e rrugëve rurale. Kjo falë prokurimeve për makineritë e reja të mirëmbajtjes që janë të domosdoshme për punën dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës rrugore në zonat e thella malore”,- tha Taçe.

Në Gramsh ka mjaft pika çlodhjeje mes një natyre të veçantë. Midis tyre është dhe lumi Holta, një nga perlat e bukurisë natyrore të vendit tonë, me kanionet e tij të mrekullueshëm, që e nis shtrirjen e tij nga fshati Bardhan deri në fshatin Kobash me gjatësi rreth 3 km, ndërsa shpatet e luginës ngjiten lartë deri në 100 – 150 m dhe me thellësi të ujit që shkon deri në 3 m.

Në zonën e Gramshit ka shumë monumente të natyrës apo dhe të historisë të antikitetit, burime natyrore si, Ujëvara e Sotirës, etj./k.s/ /a.g/