Cindy Wang nuk pati menduar ndonjëherë se do të ndërtonte karrierën e saj me transmetimet e drejtpërdrejta në internet.
Nëna 37-vjeçare nga qyteti kinez Suzhou kishte dikur një punë premtuese në industrinë e shitjeve, ku ajo punoi për mbi 10 vjet.
Sidoqoftë, që kur humbi punën tek një kompani sportive ndërkombëtare për arsye të pashpjeguara në muajin shkurt, ajo është vështirësuar të gjejë një punë me kohë të plotë në një prej rajonet më të pasura të Kinës.Gjatë intervistave, menaxherët pyesnin se sa fëmijë kam dhe nëse mund të gjeja një balancë mes punës dhe familjes”, i tha zonja Wang Zërit të Amerikës gjatë një interviste me telefon. “Çdo herë që u them se jam e martuar dhe kam një fëmijë, menaxherët menjëherë vënë në pikëpyetje nëse mund të angazhohem me orar të zgjatur, si të gjithë të tjerët në kompani”.
Eksperienca e zonjës Wang nuk është unike. Amy Su, një projektuese 35-vjeçare me mbi një dekadë eksperiencë në Pekin, nuk ka mundur të gjejë një punë me kohë të plotë në fushën e saj, që kur u rikthye në shkurt në qytetin e saj të lindjes Chongqing.
“Menaxherët shpesh mendojnë se gratë me fëmijë nuk do të jenë në gjendje të angazhohen me gjithë zemër në punë, dhe mendojnë se gratë mbi 35 vjeç nuk do të jenë në gjendje të përballojnë presionin e jashtëzakonshëm në punë”, i tha zonja Su Zërit të Amerikës gjatë një interviste me telefon.
“Disa menaxherë ma kanë thënë madje haptazi se do të donin të punësonin të sapodiplomuar, pasi ata kanë më shumë potencial, ndërsa, nga pikëpamja e tyre, grave mbi 35 vjeç shpesh u mungon imagjinata”, shtoi ajo.
Kohëra të vështira
Pa ndonjë zgjidhje të qëndrueshme në horizont për këtë problem të vazhdueshëm dhe ndërsa situata ekonomike e Kinës vijon të dobësohet, zonja Wang dhe zonja Su ndjehen pesimiste për perspektivën e karrierave të tyre. “Ndjehem konfuze dhe e përhumbur, dhe ka edhe njerëz të tjerë përreth të moshës time që po shprehin pikëpamje pesimiste për perspektivën e karrierës së tyre”, tha zonja Wang duke marrë frymë thellë.
Ajo shton se tashmë që Kina po shqyrton mundësinë e rritjes së moshës së pensionit në 65 vjeç, ajo e ka të vështirë të thotë se çfarë pune do të bënte edhe për dy dekada të tjera. Ajo nuk mendon se mund të mbijetojë kaq gjatë në treg duke bërë transmetime në internet. /VOA
Top Channel

























