Hamami i Pazarit, i njohur ndryshe si Hamami i vjetër i çarshisë, është një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në qytetin e Elbasanit. Ky monument u shpall i mbrojtur me vendimin nr. 586, datë 16.10.1948, nga Instituti i Shkencave.

 

I ndërtuar në shekullin XVII, në qendër të pazarit të dikurshëm të qytetit, hamami ndodhet sot pas Hotel “Skampa” (ish-Turizmi i Ri). Për shumë vite ai shërbeu si banjë publike, duke funksionuar deri në vitet ’40 të shekullit XX. Fillimisht ishte hamam për burra, por një herë në javë, të enjteve, i rezervohej grave.

 

Pronësia e tij i përket familjes Shabanaj, e cila e bleu rreth vitit 1850.

 

Arkitektura dhe organizimi i hapësirës

 

Hamami përbëhet nga dy pjesë kryesore:

 

Ambientet e hyrjes (zhveshjes) me përmasa 11,3 x 12,4 m, të mbuluara me çati druri, ku klientët qëndronin për çaj e biseda para ose pas banjës.

 

Ambientet e larjes, me përmasa 13,5 x 13,6 m, të mbuluara me kupola, të cilat i japin ndërtesës një siluetë të veçantë arkitektonike.

 

 

Hapësirat e brendshme përfshijnë: ambientin ndërmjetës për përshtatje me temperaturën, nyjën sanitare, sallën kryesore të larjes dhe djersitjes me vaska, dy dhoma të veçanta për larje individuale, si dhe depozitën e ujit.

 

Sistemi i ngrohjes dhe ujit

 

Një veçori e rëndësishme e Hamamit të Pazarit është ruajtja e elementeve origjinalë të ngrohjes dhe furnizimit me ujë, si:

 

furra për ngrohjen e ujit,

 

kanalet nën dysheme për qarkullimin e nxehtësisë,

 

tubat qeramikë vertikalë për nxjerrjen e tymit,

 

dhe tubacionet e qeramikës për furnizimin me ujë.

 

 

Ky monument mbetet një dëshmi e vyer e mjeshtërisë ndërtimore osmane dhe një pjesë e rëndësishme e identitetit historik të Elbasanit, që meriton të njihet dhe të ruhet për brezat që vijnë.

Edlira XHERRI