ATSH/ Vet Hospital Tirana, spitali më i madh për kafshët në rajon, hapi mbrëmjen e sotme dyert në kryeqytet.
Spitali është një investim bashkëkohor që ofron kushte më të mira për të gjithë katërputroshët që kanë nevojë për veteriner.
Në përurimin e Vet Hospital Tirana, ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja si dhe të ftuar të tjerë.
Ministri Gonxhja tha se, “kjo është një hapësirë moderne, e pajisur me teknologjinë më të avancuar, ku katërputroshët tanë do të mund të marrin gjithë përkujdesjen që meritojnë e me profesionalizëm të lartë”.
Gonxhja e cilësoi Vet Hospital Tirana, një investim të rëndësishëm që jo vetëm që ngre standardet e shërbimit veterinar në vend, por që do të jetë edhe një dritare për profesionistët e rinj që kanë vendosur t’i përkushtohen kujdesit ndaj kafshëve..
“Ky është një hap përpara për mirëqenien, por edhe për ekonominë”, u shpreh ministri Gonxhja.
Me një ekip profesionistësh të përkushtuar dhe kujdes 24/7, Vet Hospital Tirana është tashmë një strehë e sigurisë dhe shërbimit cilësor për kafshët shtëpiake, duke ofruar trajtim të specializuar dhe një mjedis miqësor me kafshët.