ATSH/ Kryeministri Edi Rama ishte sot në kompaninë “Alba Agro”, një sipërmarrje shembullore e 3 vëllezërve Gjeka në Divjakë, të cilët po e zgjerojnë fuqishëm aktivitetin e tyre me teknologjinë më të fundit, duke përfituar edhe nga heqja e TVSH-së mbi importin e makinerive e pajisjeve.
Rama pa nga afër ambientet e kësaj sere, ku falë makinerive 100% të automatizuara sigurohet dalja në treg me fidanë cilësorë.
“Këtu kemi makineritë e teknologjisë së fundit për mbjelljen e farërave me automatizim 100%. Kemi modernizim maksimal që garanton kushtet 100% të kërkesës së mbirjes së farës. Sa mbaron procesi i mbirjes i kalojmë në serë ku e çojmë deri në finale përgatitjen e fidanit”, u shpreh administratori i kësaj kompanie.
Ai tha se “kërkesa e tregut na bëri që të shtojmë kapacitetin e t’i përgjigjemi me një cilësi maksimale”.
Ndërkohë admnstratori i kompanisë “Alba Agro” vlerësoi mbështetjen e marrë nga qeveria përmes heqjes së TVSH-së të makinerive dhe pajisjeve. Ai tha se falë kësaj ndihme po bëhemi gati për investim shtesë.
“Përjashtimi nga TVSH-ja i materialit të ndërtimit ka qenë ndihmë shumë e madhe. Në 10 korrik jemi në prodhim me të gjtihë fidanët perimorë. Për 4 muaj është bërë gjithë ky investim, siç keni bërë ju Spitalin e Fierit”, tha ai./m.m/j.p/


























