ATSH/ Zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Holandës, Wopke Hoekstra deklaroi sot se, e ardhmja e Shqipërisë është në BE.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp në MEPJ me ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, Hoekstra tha se, “marrëdhëniet dypalëshe midis vendeve tona janë të fuqishme”.

Hoekstra vlerësoi rolin e Shqipërisë sa i takon çështjes së Ukrainës.

“Ne jemi shumë të qartë dhe në të njëjtën anë sa i takon mbështetjes për Ukrainën dhe për dhënien e llogarisë nga ana e Rusisë për krimet e tyre. Shqipëria ka treguar një lidership të fuqishëm, jo vetëm në përgjithësi, por edhe në Këshillin e Sigurimit, në NATO, sa i takon edhe BE-së, duke u harmonizuar tërësisht me sanksionet që BE-ja i ka miratuar. Ju falënderojmë shumë për këtë”, theksoi Hoekstra.

Hoekstra u shpreh se, ka shumë fusha ku vendet tona mund të përmirësojnë bashkëpunimin, teksa përmendi fushën e drejtësisë, policisë, migrimit, tregtisë dhe shumë fusha të tjera që prekin marrëdhëniet dypalëshe.

“Gjatë viteve të fundit ne kemi përmirësuar shumë sinergjinë tonë në luftën kundër krimit të organizuar në nivel operativ, por edhe në nivel të politikave. Mund të marrim hapa të mëtejshëm duke shkëmbyer dije teknike midis ekspertëve të policisë dhe prokurorisë në mbështetje për SPAK-un”, tha Hoekstra.

Sa i përket fillimit të bisedimeve të anëtarësimit në BE, Hoekstra u shpreh se, “besojmë se e ardhmja e Shqipërisë është në BE. Në qershor Konferenca e Parë Ndërqeveritare mes BE-së dhe Shqipërisë u zhvillua dhe është një hap i rëndësishëm në rrugën tuaj evropiane. Në emër të vendeve të Ulëta mund t’ju them se e mbështes dhe e nxis vendin tuaj drejt anëtarësimit”.

Ai theksoi se, Holanda do të vijojë të qëndrojë edhe më e angazhuar, sepse u shpreh Hoekstra, “ne besojmë që kjo do t’ju ndihmojë që të fuqizoni perspektivën tuaj evropiane.

“Do të vijojmë që ta mbështesim progresin tuaj si në të shkuarën. Është e rëndësishme që të vijojmë në zbatimet e reformave dhe që të gjithë ne të luftojmë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë dhe t’ju bashkohemi në këtë luftë. Do të vazhdojmë t’ju japim mbështetje kudo që të jetë e nevojshme sidomos në fushën e shtetit ligjor dhe shoqërisë civile”, tha Hoekstra.

Ai gjithashtu shprehu solidaritetin e tij me qeverinë shqiptare dhe popullin shqiptar përsa i takon ndikimit të rëndë të sulmeve të rënda kibernetike kundër Shqipërisë.

“Këto veprime, do ta them qartë, janë tërësisht të papranueshme, sidomos sepse fokusohen tek infrastruktura dhe sistemet kritike të Shqipërisë. Është një shkelje e qartë e normave të sjelljes së përgjegjshme të shteteve në hapësirën kibernetike. Këto janë rregulla për të cilat kanë rënë dakord të gjitha shtetet anëtare të OKB-së”, tha Hoekstra.

Hoekstra nënvizoi se, “rreziqet kibernetike janë komplekse dhe të jemi të qartë, po bëhen gjithnjë e më të shpeshta”.

“Prandaj dhe është e rëndësishme që të vazhdojmë të punojmë së bashku në kuadër të NATO-s, në kuadër të BE-së për të përmirësuar rezistencën tonë kibernetike dhe aftësinë për t’u mbrojtur dhe për të shmangur dhe kundërpërgjigjur sulmeve kibernetike. Prandaj mbështesim Shqipërinë në këtë aspekt. Mund të mbështeteni tek ne edhe në këtë fushë”, tha ai. /j.p/