HONG-KONG, 10 prill /ATSH-ANSA/ Autoritetet e Hong-Kongut kanë sekuestruar rreth 700 kilogramë metamfetaminë të ardhur nga Meksika: kjo është ngarkesa më e madhe e kësaj lënde e gjetur ndonjëherë në historinë e ish-kolonisë.

”Metamfetamina ishte fshehur në dy kontenier me pajisje industriale që mbërritën në Hong Kong nga ajri dhe deti”, tha Lee Kam-wing, kreu i Byrosë së Hetimit të Narkotikëve të Departamentit të Doganave.

Gati 450 kg metamfetaminë të lëngshme u gjetën në tre transformatorë, secili me peshë 500 kg, në aeroportin e qytetit, ndërsa 253 kg të tjera metamfetamine pluhur mbërritën në një anije dhe tashmë ishin transportuar në një depo.

Metamfetamina është droga e dytë më e njohur në Hong Kong: autoritetet kanë sekuestruar 814 kg që nga fillimi i vitit, një rritje prej më shumë se 11 herë krahasuar me 71 kg të kapur në tremujorin e parë të vitit të kaluar. /os/