ATSH-AA/ – Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka bërë të ditur se vendi i tij ka zbuluar programin e saj kombëtar hapësinor, një udhëzues i bazuar në qëllime realiste dhe konkurruese.

Në takimin prezantues të mbajtur në Ankara, presidenti Erdogan theksoi se programi kombëtar hapësinor do ta çojë vendin në një nivel më të lartë në garën globale të hapësirës.

“Misioni kryesor dhe më i rëndësishëm i programit është të arrijmë kontaktin e parë me Hënën në 100 vjetorin e Republikës sonë (2023)”, theksoi Erdogan.

Ai shtoi se vendi i tij do të grumbullojë aktivitetet e prodhimit satelitor nën një autoritet të vetëm.

“Nën programin e saj hapësinor kombëtar, Turqia synon të themelojë një sistem rajonal të pozicionimit dhe kohës”, shtoi ai.

Ai po ashtu theksoi se Turqia po planifikon të themelojë një transport hapësinor duke siguruar qasje në hapësirë.

“Një tjetër qëllim i programit është rritja e konkurrencës së vendit në hapësirë, duke investuar në motin e hapësirës dhe në meteorologji”, nënvizoi Erdogan.

“Sipas programit Turqia do të zhvillojë më tej ekonominë e industrisë së saj hapësinore”, shtoi ai.

Më tej, presidenti njoftoi se do të themelohet një Rajon i Zhvillimit të Teknologjisë Hapësinore për të mirëpritur investitorët vendas dhe ato të huaj.

Duke theksuar se vendi do të zhvillojë burime njerëzore efektive dhe kompetente në fushën e hapësirës, Erdogan tha se qëllimi përfundimtar është dërgimi i një shtetasi turk në hapësirë me një mision shkencor./ /ec/