ATSH/ “I dua lulet në dritare” titullohej aktiviteti që mblodhi qytetarë të shumtë gjirokastritë si dhe vizitorë nga qytete të ndryshme, i zhvilluar në fundjavë në pazarin karakteristik të Gjirokastrës.

Pjesë e aktivitetit ishte dekorimi i dritareve me lule, panairi shumëngjyrësh, ekspozitë figurative dhe një koncert artistik.

Sipas kryebashkiakut Flamur Golemi ky aktivitet synon të nxisë bizneset dhe banorët të zbukurojnë me lule dritaret, sofatet, portat e çdo hapësirë tjetër të mundshme.

“Lulet i shtojnë kolorin ndërtesave të vjetra plot histori e arkitekturë të veçantë, por edhe tërheqin gjithmonë vëmendjen. Faleminderit edhe fëmijëve, që me interpretimet e tyre e bënë më të bukur këtë aktivitet”, – tha Golemi.

Gjatë muajit maj qyteti i Gjirokastrës po vizitohet nga një numër i lartë turistësh vendas, të cilët kanë vizituar pazarin, kalanë, si dhe muzetë e qytetit të gurtë.

E njohur për shtëpitë e veta karakteristike, çatitë prej guri dhe muret e bardha, Gjirokastra është një nga pikat kryesore të turizmit në vend. Kalaja e gurtë, parku i Antigonesë, muzetë e qytetit vazhdojnë të ngelen më të preferuarat për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës./k.s/j.p/