Një ngjarje e pabesueshme ka tronditur rajonin e largët dhe malor të Kohistanit në Pakistan, ku trupi i një burri, i zhdukur për 28 vjet, është gjetur i paprekur në një akullnajë që po shkrinte.

Ky zbulim i jashtëzakonshëm ndodhi kur një bari vendës, Omar Khan, gjeti rastësisht trupin, të cilin e gjeti në një gjendje jashtëzakonisht të mirë, me rrobat e tij të paprekura, të ruajtura në mënyrë perfekte.

“Pashë një gjë të pabesueshme. Trupi ishte i paprekur dhe rrobat nuk ishin as të grisura,” tha Khan për BBC Urdu. Trupi, i shoqëruar me një kartë identiteti që mbante emrin Naseeruddin, ishte gjetur në “Luginën e Zonjës”, një zonë malore në pjesën lindore të Pakistanit.

Policia konfirmoi më pas se trupi i përkiste Naseeruddinit, një burrë që ishte zhdukur më 1997, pas një aksidenti gjatë një stuhie dëbore në të njëjtën zonë. Pas kërkimeve të shumta që zgjatën vite, trupi u gjet si pasojë e shkrirjes së shpejtë të akullnajës, një fenomen që ekspertët thonë se është përshpejtuar nga ndryshimet klimaterike. Ky zbulim tregon se si ngrohja globale ka ndikuar në shkrirjen e akullnajave në rajon, duke ekspozuar mbetje të paprekura pas dekadash.

Në vitin 1997, Naseeruddin po udhëtonte me vëllain e tij, Kathiruddin, kur ata u larguan nga shtëpia e tyre për shkak të një mosmarrëveshje familjare. Gjatë udhëtimit të tyre, Naseeruddin kishte hyrë në një shpellë dhe nuk u kthye më. Vëllai i tij, Kathiruddin, pas disa tentativave për ta kërkuar, shkoi të kërkonte ndihmë, por nuk e gjeti kurrë të vëllain.

Si është e mundur që trupi të mbahet në gjendje kaq të mirë pas 28 vitesh?

Ekspertët shpjegojnë se temperaturat ekstreme të akullnajave mund të ngrinë trupin menjëherë pas vdekjes, duke parandaluar dekompozimin e tij. Muhammad Bilal, profesor dhe kreu i Departamentit të Mjedisit në Universitetin Comsats në Islamabad, thekson se trupi i mumifikohet në kushte të tilla, për shkak të mungesës së lagështirës dhe oksigjenit, duke e mbajtur atë të paprekur për dekada.

Ky incident ka tërhequr vëmendjen për ndikimin e ndryshimeve klimaterike, duke treguar edhe një herë se si proceset natyrore mund të ruajnë dëshmi të së kaluarës për më shumë se 28 vjet

Top Channel