Ibrahimaj theksoi se Shqipëria ka shënuar rritje të ndjeshme të turizmit, nga 6,4 milionë turistë të huaj në vitin 2019, në mbi 12 milionë turistë aktualisht. “Vitet e fundit, të ardhurat nga sektori turistik arritën 5,7 miliardë euro, duke punësuar mbi 270 mijë persona dhe sjellë 1,23 miliardë euro për buxhetin”, tha ministrja.

Ajo nënvizoi rëndësinë e turizmit detar dhe zhvillimin e porteve turistike, duke prezantuar një masterplan bazuar në modelet më të mira rajonale dhe ndërkombëtare.

Projekti ligjor, i paraqitur nga deputetja Zamira Sina, synon të eliminojë konfliktin midis procedurave për investimet strategjike dhe koncesionet, duke lehtësuar miratimin dhe realizimin e porteve turistike nga vetë subjekti investues.

“Kur portet turistike janë pjesë e projekteve strategjike, ndërtimi i tyre realizohet nga vetë subjekti strategjik pa iu nënshtruar procedurës koncesionare të përgjithshme. Kjo nuk cenon transparencën dhe mundëson avancimin e projekteve sipas procedurave të miratuara” shtoi Ibrahimaj.

Ministrja vuri në dukje se kjo nismë do të stimulojë investimet strategjike, duke kontribuar në zhvillimin e turizmit dhe të ardhurat e ekonomisë shqiptare.

e.xh/j.p/