PRISHTINE, 19 qershor /ATSH/ -IKSHPK tërheq vërejtjen se si pasojë e mos mbajtjes së maskave po rrezikohet shëndeti i të gjithëve dhe po rëndohet situata e përgjithshme epidemiologjike që po mbahet nën kontroll me mund të madh të ekipeve të profesionistëve të Institutit Kombëtar.

Duke iu drejtuar qytetarëve, IKSHPK tha se pakujdesia shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent dhe kështu mund të mbingarkohet sistemi shëndetësor me pasoja të paparashikuara deri në shpërthim e që mund të paraqes rrezik për jetën e qytetarëve.

“E dimë se qytetarët kanë nevoja për shërbime të përditshme andaj bëjmë apel t’iu përmbahen rekomandimeve të IKSHPK në aplikimin e masave mbrojtëse duke ruajtur kështu shëndetin e tyre, të pacientëve dhe të gjithë qytetarëve të vendit. Përpjekja e madhe e përbashkët e derisotme mund të na shkojë huq për shkak të pakujdesisë së mos përmbajtës së tri rregullave themelore, të cilat duhet të jenë përditshmëri e jona edhe pa pandemi, e që nënkupton: mbajtjen e distancës fizike, mbajtjen e maskave dhe larjen e duarve me kujdes disa herë në ditë, për 20-30 sekonda”, thuhet në njoftimin e IKSHPK.

E vetmja mundësi e parandalimit është përmbajtja e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

“Ne po shkojmë drejt një normaliteti të ri. Ky normalitet i ri paraqet ndërrimin e sjelljeve tona për të mirë, për të mbajtur higjienën, për të mbajtur distancën, për të mbajtur maskën, për të mos përhapur piklat tona të cilat i qesim nga goja çdo ditë, dikush më shumë e dikush më pak, e që rrezikojnë shëndetin e të tjerëve. Zbatimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar duhet ta bëjë çdo qytetar i Republikës së Kosovës, që të ruajë veten, të afërmit dhe të tjerët”, vijon IKSHPK.A

ATSH