Gjatë çdo nate të turneut të saj Lifetimes, këngëtarja 40-vjeçare fton disa fansa në skenë për ta ndihmuar në interpretimin e këngës së saj të vitit 2011, The One That Got Away. Por emocionet ishin tepër të forta për një fanse të vogël, me emrin McKenna, e cila humbi ndjenjat pikërisht në momentin kur Perry po përgatitej të niste këngën. Sipas Billboard, këngëtarja e njohur thirri McKennën dhe një shoqe të saj nga skaji më i lartë i arenës Little Caesars në Detroit, Michigan, për t’u bashkuar në skenë.
Kur McKenna u rrëzua, ajo u ndihmua menjëherë nga pjesëtarë të stafit të Perry-t dhe nga ekipi mjekësor i vendit, ndërkohë që vetë këngëtarja u ul pranë saj për t’i qëndruar afër. Pas largimit të vajzës nga skena, Perry përqafoi tre fanset e tjera në një përqafim të përbashkët dhe bëri një lutje, duke thënë: “O Zot, lutemi për McKennën, që ajo të rikthehet plotësisht, më e ndritshme dhe më e fortë se kurrë. Amen”.
Ajo shtoi gjithashtu: “Është shumë. Ndonjëherë je kaq e guximshme dhe ngjitesh në skenë, por ndihesh e tejmbushur nga emocionet. E kuptoj plotësisht atë ndjesi.” Më vonë, Perry i siguroi të pranishmit duke thënë se “McKenna është mirë”. Ndërkohë, dy javë më parë, Katy Perry përjetoi një moment frike gjatë koncertit të saj në San Francisko, kur flutura mekanike që ajo po përdorte për të fluturuar mbi publikun papritur ra disa metra poshtë.
Ndërkaq, ish-kryeministri kanadez, Justin Trudeau, është fotografuar duke darkuar me Katy Perry, në një nga restorantet më luksoze të Montrealit. Sipas TMZ, dyshja u pa në restorantin “Le Violon”, i cili ndodhet në lagjen Plateau dhe është renditur si restoranti i 11-të më i mirë i Kanadasë për këtë vit, duke marrë edhe vlerësimin “I rekomanduar nga Michelin”.
Top Channel