ATSH/ “Inflacioni u rrit përsëri në muajin shkurt të këtij viti në nivelin 3.9%”, njoftoi INSTAT.

Rritja e inflacionit është gjithnjë e më e përqendruar te produktet ushqimore, energjetike dhe shërbimet e transportit, duke pasqyruar shtrenjtimin e ndjeshëm të këtyre produkteve në tregjet ndërkombëtare.

Sipas INSTAT, inflacioni i grupit “ushqime dhe pije joalkoolike” në shkurt arriti në 6.9%, kundrejt nivelit 3.2% që ishte të njëjtën periudhë një vit më parë.

Produktet që janë shtrenjtuar më shumë krahasuar me një vit më parë janë ato të nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet”, me 16.4%, pasuar nga nëngrupet “vajra dhe yndyrna” me 10.1%, “fruta” me 7%, “bukë dhe drithëra” me 6.8%, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 6.7%, “mish” me 3.9%, “qumësht, djathë dhe vezë” me 3.3%.

Inflacioni i grupit “transporti” për shkurtin arriti në 10.4%, nga 9% që kishte qenë në janar dhe çmimet e grupit “qira, ujë, lëndë djegëse, energji” për shkurtin rezultoi 1.8%, nga 1.9%. /a.a/