Vendi ynë vijon të përballet me rritje të çmimeve, kryesisht sa i përket ushqimeve, por me theks tek qumshti, djathi dhe vezët. Sipas të dhënave të publikuara të mërkurën nga INSTAT, ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin shkurt 2023 është në nivelin 7,1 %, ndërsa një vit më parë ky ndryshim ishte 3,9 %.
Ndikimi i grupeve kryesore
Rritja vjetore e çmimeve në muajin shkurt është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”.
Çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” patën edhe ato rritje, pasuar nga çmimet e grupeve “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” si dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme”.
Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore
Krahasuar me muajin shkurt 2022, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” pasuar nga grupet “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë”, “Hotele, kafene dhe restorante”, “Pije alkoolike dhe duhan”, “Veshje dhe këpucë”, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” etj.
Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “qumësht, djathë dhe vezë” patën rritjen më të ndjeshme me 28,0 %, pasuar nga nëngrupet “vajra dhe yndyrna” me 17,4 %, “peshk” me 16,3 %, “bukë dhe drithra” me 15,2 %, “mish” me 13,8 %, “sheqer, recel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 13,2 %, “zarzavate përfshirë patatet” me 9,6 %, etj.
Krahasuar me muajin Janar 2023, çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u rritën me 3,3 %, pasuar nga grupet “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 0,7 %, “Pije alkoolike dhe duhan”, “Argëtim dhe kulturë” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,3 % secili.
E vetmja ulje është konstatuar në çmimet e grupit “Transporti” me 2,8 %, pasuar nga “Veshje dhe këpucë” me 0,2 %.
/rtsh.al/