ATSH/ Në vitin 2024 blegtoria në Shqipëri ka shënuar disa ndryshime të rëndësishme në strukturë dhe prodhim, krahasuar me vitin paraardhës.
INSTAT bën të ditur se, numri i gjedhëve është rritur me 3,3%, nga 263 mijë krerë në vitin 2023 në 272 mijë krerë në vitin 2024. Megjithatë, numri i lopëve ka shënuar një rënie me 3,5%, duke zbritur nga 232 mijë në 224 mijë krerë.
Ndërsa numri i përgjithshëm i të imtave në vitin 2024 ka rënë me 2,5%, nga 1.206.000 në 1.177.000 krerë, krahasuar me 2023. Delet, si kategoria më përfaqësuese, kanë shënuar një rënie më të theksuar prej 3,8%, nga 1.006.000 në 968.000 krerë.
Sipas INSTAT, në vitin 2024, janë regjistruar 615 mijë krerë të dhirta, me një rënie prej 3,9%, krahasuar me një vit më parë (640 mijë). Brenda kësaj kategorie, numri i dhive është ulur me 2,2%, nga 512 mijë në 501 mijë krerë.
Ndërkohë rënia më e madhe është regjistruar në kategorinë e derrave, me një ulje prej 9,4%, nga 115 mijë në 104 mijë krerë. Brenda kësaj kategorie, numri i dosave është reduktuar me 9,6%.
Edhe pse numri total i shpendëve ka shënuar një rënie të lehtë prej 0,6%, nga 7.031 mijë në 6.992 mijë, numri i pulave ka pësuar një ulje më të theksuar prej 6,6%, duke zbritur nga 4.877 mijë në 4.557 mijë.
Ndërsa numri i njëthundrakëve ka zbritur nga 67 mijë në 58 mijë krerë, që përfaqëson një rënie me 12,2%.
Numri i koshereve të bletëve është rritur me 13,2%, nga 519 mijë koshere në vitin 2023 në 587 mijë koshere në vitin 2024.
INSTAT bën të ditur se, prodhimi i përgjithshëm i qumështit është ulur me 2,7%, duke kaluar nga 900.569 tonë në vitin 2023 në 876.688 tonë në vitin 2024. Qumështi i lopës mbetet burimi kryesor, duke përbërë 84,9% të totalit, ndjekur nga qumështi i dhisë me 7,7% dhe ai i deles me 7,4%.
Prodhimi i mishit në peshë të gjallë ka pësuar një rënie prej 3,8%, nga 135.483 tonë në 130.334 tonë.
Edhe pse në vitin 2023 u prodhuan 894 milionë vezë, në vitin 2024 prodhimi ka rënë lehtë në 888 milionë, me 0,7% më pak.
Prodhimi i mjaltit është rritur me 5,4%, nga 5633 tonë në 5940 tonë.
Sa i takon shpërndarjes së blegtorisë, numri i krerëve të blegtorisë sipas qarqeve, 2024 Qarqet me numrin më të lartë për mbarështimin e gjedhit për vitin 2024, janë Fieri me 14,8% dhe Korça me 11,3%, ndaj numrit gjithsej të gjedhëve.
Përqendrimi më i madh i numrit të të imtave është në qarkun e Vlorës, me 29,3% dhe në qarkun e Gjirokastrës me 14,5%, ndaj numrit gjithsej të krerëve. Gjithashtu, në qarqet Vlorë dhe Gjirokastër është përqëndrimi më i madh i numrit të të dhirtave me 25,6% me 14,0%, ndaj numrit gjithsej të krerëve.
Ndërsa numri më i lartë i kategorisë së derrave është shënuar në qarkun Lezhë me 51,6% dhe në qarkun Shkodër me 24,2%, ndaj numrit gjithsej të krerëve, njofton INSTAT.
/e.xh//r.e//a.f/