Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla përshëndeti angazhimin e tre partive të koalicionit qeverisës në Gjermani lidhur me procesin e anëtarësimit në BE të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.

”Ndërsa qeveria e re gjermane e kancelarit Olaf Scholz po merr udhë, dëshiroj të përshëndes angazhimin e tre partive të koalicionit qeverisës lidhur me Shqipërinë, Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor”, tha Balla.

Në marrëveshje, socialdemokratët, të gjelbrit dhe liberalët angazhohen të mbështesin procesin e anëtarësimit në BE të gjashtë vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor si dhe reformat e nevojshme që kërkohen për plotësimin e kritereve të Kopenhagenit.

“Në këtë kuadër ne do të forcojmë shoqërinë civile dhe mbështesim hapat e mëtejshëm për anëtarësim. Si hap tjetër duhet të çelen kapitujt e parë të marrëveshjes për Anëtarësim mes BE dhe Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, të miratohet liberalizimi i vizave me Kosovën dhe të vazhdojnë më tej negociatat me Malin e Zi dhe Serbinë. Ne mbështesim dialogun e udhëhequr nga BE për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe përpjekjet për një paqe të qëndrueshme në Bosnje dhe Hercegovinë, e mbështetur në ruajtjen e integritetit territorial dhe kapërcimin e ndarjeve etnike”, thuhet në marrëveshjen e arritur të koalicionit qeverisës mes socialdemokratëve (SPD), të Gjelbërve dhe liberalëve (FDP).