ATSH-ANSA/ – Inteligjenca artificiale mund të parashikojë strukturën kimike te drogat e reja sintetike para se të dalin në treg dhe kjo falë një algoritmi që imiton funksionimin e trurit të njeriut, të zhvilluar dhe trajnuar nga një ekip kërkimor ndërkombëtar i udhëhequr nga universiteti ”British Columbia” në Kanada.

Rezultati i këtij studimi u publikua në revistën ”Nature Machine Intelligence” dhe do të ndihmojë në zvogëlimin e kohës së nevojshme për të identifikuar substanca të reja të paligjshme të fshehura në tableta, por jo vetëm kaq, pasi do të bëjë të mundur zbulimin e molekulave të reja ende të panjohura që përbëjnë anën e errët të kimisë.

”Të jesh në gjendje të parashikosh se cilat drogat sintetike sintetike do të dalin në treg para se të shfaqen është paksa si në filmin ‘Minority Report’, ku parashikimi i aktiviteteve kriminale që do të ndodhin ndihmon në uljen e krimit”, shpjegon koordinatori i studimit David Wishart.

“Në thelb softueri ynë u jep zbatimit të ligjit dhe programeve të shëndetit publik një avantazh ndaj kimistëve klandestinë dhe i ndihmon ata të kuptojnë se çfarë duhet të kërkojnë”, shtoi ai.

Për ta arritur këtë, studiuesit trajnuan një algoritëm të inteligjencës artificiale nga një bazë të dhënash e madhe që përmban strukturat kimike të substancave të njohura psikoaktive të identifikuara nga laboratorët në mbarë botën.

Pasi u studiuan këto nocione, sistemi gjeneroi kuadrin e 8,9 milionë drogave sintetike të reja potenciale.

Këto molekula më pas u krahasuan me 196 substanca të reja të paligjshme që u shfaqën në treg pas trajnimit dhe u zbulua se 90% tashmë ishte parashikuar nga algoritmi.

Me fjalë të tjera, inteligjenca artificiale ka qenë në gjendje të parashikojë pothuajse të gjitha substancat e reja të hedhura në treg./  /os/