Nga Edlira XHERRI

 

Muzeu Etnografik i Elbasanit vazhdon të jetë një nga destinacionet më të preferuara për turistët që kërkojnë të njihen me trashëgiminë kulturore të Shqipërisë së mesme. Së fundmi, një grup vizitorësh nga Franca ndoqën me interes të veçantë muzeun, duke shfaqur kuriozitet dhe vlerësim për traditat dhe jetën e banorëve të zonës.

 

Kjo vizitë vijon tendencën në rritje të turizmit kulturor në Elbasan, ku objekti muzeal, i rikonstruktuar së fundmi, ofron një pasqyrë të plotë dhe të detajuar të jetës së përditshme në epoka të ndryshme. Nga veshjet tradicionale dhe mjete bujqësore, tek sendet artizanale dhe elementët e shtëpisë së dikurshme, vizitorët panë dhe preknin histori të gjalla që flasin për rrënjët e forta kulturore të komunitetit.

 

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, njihet për vëmendjen e veçantë që i kushton artit dhe kulturës. Ai kujdeset që asete të tilla të rëndësishme të promovohen dhe të mbrohen, duke vlerësuar jashtëzakonisht shumë rolin e trashëgimisë kulturore në identitetin dhe zhvillimin e komunitetit.

 

Përfaqësuesit e muzeut theksuan se kjo përvojë është më shumë se një thjesht ekspozitë; ajo është një mundësi për të promovuar vlerat dhe identitetin shqiptar në arenën ndërkombëtare, duke krijuar ura kulturore midis Shqipërisë dhe vendeve të tjera.

 

“Kemi kënaqësinë të mirëpresim vizitorë nga Franca, të cilët treguan interes dhe respekt për historinë tonë. Kjo na inkurajon të vazhdojmë investimet në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë etnografike,” u shprehën drejtuesit e muzeut.

 

Vizitat e tilla, si dhe aktivitetet e vazhdueshme kulturore, kontribuojnë në zhvillimin e turizmit në Elbasan dhe forcojnë lidhjet kulturore ndërkombëtare, duke e bërë Muzeun Etnografik një pikë referimi të rëndësishme për çdo vizitor.

Shtëpia me bahçe trëndafilash dhe çardak, tipike elbasanase, që i përket shekullit të XVI mbart vlera të rralla historike dhe kulturore.

Çdo dhomë e çdo objekt që ndodhet aty është dëshmi e stilit të jetesës së qytetarëve të Elbasanit në shekuj.