ATSH/ Banka e Shqipërisë bën të ditur se, investimet e huaja direkte arritën vlerën 273 milionë euro, në tremujorin e parë të këtij viti.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, investimet e huaja direkte shënuan një rritje prej 17%.
Sipas Bankës së Shqipërisë, fitimet e riinvestuara të sipërmarrjeve të huaja u zgjeruan me 15% dhe arritën vlerën 137 milionë euro. Ndërsa injektimi i kapitalit të ri në tremujorin e parë 2022 shënoi vlerën 105 milionë euro, 15% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndër sektorët me rritjen më të lartë të investime të huaja, për tremujorin e parë renditet industria nxjerrëse, me rreth 24% të fluksit total të investimeve të huaja direkte, pasuar nga sektori i pasurive të paluajtshme dhe më pas renditet ai financiar përkatësisht me 18.5% dhe 15% të flukseve totale vjetore.