ATSH-I.Vata/ Kryeministri Edi Rama foli sot gjatë konferencës së Fundvitit me gazetarët për projektet e mëdha të infrastrukturës që do nisin, vijojnë apo përfundojnë gjatë vitit të ardhshëm, duke renditur aeroportin e Vlorës, Sarandës, portin turistik të Sarandës, Vlorës, Durrësit, Shëngjinit si dhe rrugën e Arbrit në pranverë dhe Korridorin Blu.

“Jemi afër marrëveshjeve të rëndësishme të fluturimeve në aeroportin e Kukësit. Informacionet e fundit janë shumë inkurajuese, por besoj maksimumi në pranverë aeroporti i Kukësit do të jetë plotësisht funksional me fluturime me kosto të ulët ashtu siç është ndërtuar. Kemi uljen drastike të çmimeve në aeroportin e Tiranës dhe të gjithë e keni vënë re nuk jemi më në atë situatë e tmerrshme të çmimeve më të shtrenjta në Europë, por kemi çmime deri tek fare të ulta në aeroportin e Tiranës. Kjo si rezultat i kalimit të administrimit të aeroportit në duar shqiptarësh”, tha ai.

Rama theksoi se do nisë një investim i rëndësishëm në aeroportin e Rinasit me vlerë 100 milionë dollarë si dhe vijimin e pjesës tjetër të unazës së Tiranës, si dhe programin e ri për strehim.

“Kemi planin e ndërtimit gati të terminalit të dytë dhe zgjatjes së pistës, në atë vlerën e deklaruar  prej 100 milionë eurosh, që është një investim i madh në vete. Janë hapur dy lote të unazës së Tiranës dhe do të fillojmë me pjesën tjetër. Aty kemi çështje sociale me një numër të madh banesash të cilat duhen prishur për t’i hapur rrugë ndërtimit të unazës dhe këtu do t’i kthehem në një moment asaj që ka të bëjë me një mësim dhe frymëzim që kemi marrë në programin e rindërtimit. Sot kemi kapacitete, dije, besimin e këtyre të dyjave për një program të ri strehimi. Pra, këto vepra që flasin vetë me standarde krejt të reja urbanistike, sigurie në aspektin e mbështetjes sociale të njerëzve në nevojë për shtëpi na japin mundësinë që sot të angazhohemi me një programin të ri për strehimin dhe të vazhdojmë pavarësisht tërmeteve. Pra nuk do të presim të bjerë tërmet tjetër për të ndihmuar familjet që kanë nevojë për strehim. Kuptohet me skema financiare shumë të lehta për familjet dhe për çiftet e reja. Janë dy kategori dhe të gjitha banesat që do të jenë pjesë e prishjeve për unazën por edhe për zona të tjera të vendit që është për strehimin e njerëzve, për familjet e atyre banesave do iu japim bonusin e qirasë siç kemi bërë me familjet nga tërmeti dhe pika e dytë do të jetë angazhimi zyrtar për të pajisur me banesa të reja sociale sipas kushteve të familjeve”, tha ai.

Rama shtoi se Rruga e Arbrit e bën Dibrën jastëkun e gjelbër të kryeqytetit.

“Rruga e Arbrit është hapur dhe ka lehtësuar në mënyrë të jashtëzakonshme qarkullimin e njerëzve nga Dibra në Tiranë por është kthyer në një rrugë me shumë trafik në fundjavë sepse shumë njerëz nga Tirana po shkojnë të njohin Dibrën për herë të parë, por në fund të pranverës në fillim të verës me hapjen e tunelit të Murrizit i cili shfaqi probleme të papritura gjeologjike do të kemi një lidhje Tiranë-Dibër, që faktikisht e bën Dibrën jastëkun e gjelbër të kryeqytetit. Jemi në një proces shumë pozitiv në rrugën Kardhiq-Delvinë, aty në tunel formacioni gjeologjik ka qenë shumë i favorshëm dhe besoj sezonin e ardhshëm veror do ta sjellim Sarandën më afër Tiranës”, tha Rama.

Me portet, Rama tha se “fillojmë në janar me kantiere për portin turistik të Vlorës dhe portin tregtarë të Vlorës”.

“Nesër faktikisht dorëzojmë fillimin e përgatitjeve të punës për fazën e parë të ndërtimit të portit të ri turistik të Durrësit. Porti i ri tregtar i Durrësit është në procesin e projektit të detajuar në një prej kompanive më të mëdha të botës. Në Sarandë po punohet për portin e ri turistik. Me portin e Shëngjinit, portin turistik jemi në proces. Aeroporti i Sarandës do të futet përsëri në garë sepse kemi pasur gara të pasuksesshme ndërkombëtare por jam besimplotë që do te kemi dhe aty një mundësi për të nisur nga puna. Fillojmë vitin që vjen me autostradën e madhe, Korridorin Blu, pjesë nga Muriqani, Milot, Thumanë, Kashar, Rrogozhin dhe Fier. Një rrugë e re dhe me gjithë infrastrukturën e  nevojshme të rrugëve dytësore”, theksoi Rama. /j.p/