TIRANË, 19 shkurt /ATSH/ “Porti i ri turistik që do filloj të ndërtohet së shpejti së bashku me portin e ri të mallrave dhe pasagjerëve do spostohet tek triporti ku do sistemohet dhe porti i peshkimit do të krijoj një impakt shumë të rëndësishëm ekonomik dhe do të krijoj një prespektivë konkrete për shumë vende pune”.
Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama gjatë një bashkëbisedimi sot me qytetarët në Vlorë.
“Unë besoj që Vlora me dy investimet që janë shumë afër fillimit të realizimit edhe pse kemi patur një proces tejet sfilitës me të parin që është aeroportit për shkak të pandemisë, për shkak të stërzgjatjes së garës që u hap, u pezullua, u rihap u pezullua. Tani shpresoj më në fund të kemi fituesin e garës. Është ndryshe nga sa naivisht e mendojnë disa që thonë ne s’kemi bukë ti merresh me aeroporte, në fakt aeroportet janë fabrika buke nëse do ti përgjigjemi metaforës”, tha Rama.
Ai theksoi se, “aeroportet nuk janë stacione autobusi që zbret njëri hipën tjetri, aeroportet sjellin konsumatorë, sjellin njerëz që duhet të hanë, të flenë, duhet të dalin, të shkojnë në hapësira kulturore dhe duhet të marrin shërbime shëndetësore. Është kjo arsyeja pse sikundër thonë të gjitha studimet 1 euro e investuar një aeroport sjell 24 euro të tjera. Pra nëse një aeroport kushton 100 milionë euro shumëzojeni për 24 dhe ato janë të ardhurat që aeroporti sjell në ekonomi si investime. Është një zinxhir vlere që krijohet, rritja e fluksit të njerëzve, rritja e fluksit të shërbimeve, rritja e fluksit të konsumit , rrit patjetër dhe zinxhirin e vlerës së prodhimit”.
“Po kështu dhe porti turistik është ndryshe, por përsëri çon në të njëjtin drejtim, parafytyroni nëse ne e kemi një port në Vlorë me 300 ose 400 varka janë 300 ose 400 ekuipazhe të cilat qëndrojnë këtu gjatë gjithë periudhës dhe jashtë sezonit. Pra këto ekuipazhe dhe konsumojnë dhe paguajnë, pa llogaritur faktin që gjatë sezoneve portet turistike sjellin konsumatorë që shpenzojnë shumë. Janë konsumatorë të një tjetër niveli dhe të gjithë këto struktura hotelet që do shtohen, si rezultat i aeroportit, shërbimet që do të shtohen, çfarë do kërkojnë, do kërkojnë punonjës. Sigurisht kjo do të sjelli dhe rritjen e pagës sepse cilësia e shërbimeve domosdoshmërisht duhet të jetë më e lartë”, përfundoi Rama.



























