Të shumtë janë sportistët shqiptarë që pasi kanë lënë futbollin e luajtur në fushë, kanë vazhduar në rrugën e trajningut. Mirëpo, nuk është e lehtë për ata që kanë pretenduar ta bëjnë këtë gjë jashtë vendit, për shkak edhe të mungesës së mundësive.
Njëri prej tyre që po vazhdon me pasionin e tij është edhe ish-futbollisti i Elbasanit, Briken Destila. I dalë nga moshat e klubit të futbollit të Elbasanit dhe ka luajtur me ekipin e parë në vitet 1998-1999 dhe më pas me atë të Devollit 1999-2000, Destila spikati me grintën dhe karakterin e tij të fortë në fushën e lojës.
Më pas ai emigroi për në SHBA, ku vijon edhe sot e kësaj dite të angazhohet me sportin e futbollit, me synimin për të përgatitur brezin e ri. Në shtetin e Floridas, pikërisht në Cape Coral Florida, ai ka vënë në shërbim eksperiencën e tij në rolin e trajnerit me këta fëmijë që kanë pasion futbollin.