ATSH-AA/ – Jonas Vingegaard nga ekipi Jumbo-Visma, i cili ka punuar fillimisht si paketues peshku, fitoi dje “Tour de France 2022”.
Në përfundim të fazës së 21-të, e cila u zhvillua në Paris, çiklisti danez fitoi turneun me një kohë totale prej 79 orë, 33 minuta dhe 20 sekonda në klasifikimin e përgjithshëm.
Ai arriti fitoren e tij të parë të turneut të madh në karrierë, pasi vitit të kaluar përfundoi turneun në vendin e dytë.
Kampioni i dy garave të fundit, Tadej Pogacar, që përfaqëson ekipin UAE Emirates, përfundoi i dyti me 79 orë, 36 minuta dhe 03 sekonda, ndërsa çiklisti britanik Geraint Thomas nga ekipi Ineos Grenadiers përfundoi i treti me një kohë 79 orë, 40 minuta dhe 42 sekonda.
Belgu Jasper Philipsen i Alpecin-Deceunink ishte fitues në fazën mbyllëse të edicionit të 109-të të garës “Tour de France” me 2 orë, 58 minuta dhe 32 sekonda (me një bonus prej 10 sekondash).
Gara “Tour de France”, e themeluar në vitin 1903, është një nga garat kryesore në çiklizëm, së bashku me “Giro d’Italia” dhe “Vuelta a Espana”./ /os/



























