Humbja djeg gjithnjë, sidomos për një skuadër që e merr atë në shtëpi, përpara tifozëve të vet. E tillë është edhe situata me Elbasanin, që u mund për të tretën herë këtë sezon nga Dinamo në “Elbasan Arena”.
Kjo disfatë që i largon ata disi nga zona “Final 4”, edhe pse janë ende shumë javë kampionat dhe pikë të tjera në lojë. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, ish-trajneri Muharrem Dosti, pohon se Elbasani u ndëshkua nga gabimet e veta. Ai mendon se skuadra ka potencial dhe e sheh më të fortë në krahasim me javët e para, edhe në sajë të trajnerit Ivan Gvozdenoviç.
“Një humbje në këtë moment të kampionatit rëndon disi, edhe për faktin se Elbasani vinte pas një ecurie pozitive këto javët e fundit. Megjithatë, të të mundë Dinamo e këtij viti, nuk është fundi i botës, sepse bëhet fjalë për një nga ekipet më të mira të kampionatit. Ajo që vura re në këtë ndeshje, ishte se më shumë Elbasani u ndëshkua nga gabimet e saj, që një ekip si Dinamo diti t’i shfrytëzojë si duhet. Mendoj se skuadra ka potencial për të rivalizuar dhe duket që me ardhjen e trajnerit të ri ka një ndryshim edhe në lojë”, u shpreh fillimisht Muharrem Dosti.
LAÇI – Këtë fundjavë verdheblutë do të luajnë përballë Laçit, një kundërshtar që Dosti e sheh si të kalueshëm. Sipas tij, mjafton që skuadra të hyjë e qetë në fushë dhe kualitetet për të bërë menjëherë kthesën nuk i mungojnë. “Nuk ka shumë kohë për të menduar për humbjen me Dinamon, sepse ndeshja e radhës vjen shpejt. Laçi është një skuadër e vështirë dhe që të hap punë, por mendoj se Elbasani i ka cilësitë për të bërë menjëherë kthesën. Të hyjnë të qetë në fushë dhe pa presionin për të fituar, sepse do t’ua bëjë më të lehtë edhe lojtarëve në fushë për të arritur te maksimumi”, vijoi më tej ish-tekniku i verdhebluve.
KUPA – Nëse “Final 4” po bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’u arritur, Kupa tani duhet të kthehet në objektivin primar. Të paktën këtë thekson Dosti për gazetën. “Mendoj se tani primare për Elbasanin duhet të jetë Kupa e Shqipërisë. Është mundësia më e mirë për të shkuar në Europë dhe për të dalë me një trofe, edhe në sajë të specifikës që ka. Megjithatë, edhe në kampionat shpresat nuk duhen humbur dhe deri në fund duhet ta tentojnë katërshen. Kanë një avantazh, sepse nuk janë të rrezikuar nga poshtë dhe shohin vetëm lart. Mjafton që një nga skuadrat mbi ta të gabojë dhe rikthehen sërish në garë”, mbylli prononcimin e tij për gazetën, Muharrem Dosti.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL