Inspektoriati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT) ushtroi gjatë muajit gusht 150 inspektime në biznese të fushave të ndryshme për të verifikuar nëse konsumatorit i ofrohen mallra dhe shërbime me cilësi në treg.
Kryeinspektori i ISHMT-së, Gazmend Osmani bëri të ditur se qëllimi kryesor është garantimi i sigurisë për konsumatorët.
“Në çdo produkt që ofrohet në tregun shqiptar konsumatori duhet të ketë informacion të plotë mbi identitetin e prodhuesit, cilësinë, sasinë, origjinën, afatin e përdorimit, mënyrën e mirëmbajtjes dhe garancinë e mallrave dhe të shërbimeve dhe të dhënat duhet të jenë në gjuhën shqipe”, u shpreh kryeinspektori i ISHMT-së.
Osmani bëri të ditur se gjatë kësaj periudhe janë vendosur 17 masa administrative për subjektet që janë gjetur në shkelje.
ISHMT kreu inspektime të instrumenteve matëse (peshore), ligjërisht të kontrolluara, për treguesin e çmimit, si dhe të instrumenteve matëse, në pikat e karburanteve.
Pas kontrolleve të ushtruara kryesisht në zinxhirët e marketeve, në qytetet kryesore të vendit si dhe përgjatë të gjithë vijës bregdetare nga Shkodra në Sarandë, trupat inspektuese gjetën 5 subjekte në shkelje të detyrimeve që rrjedhin nga ligji “Për mbrojtjen e konsumatorit”, dhe atij “Për metrologjinë”.
ISHMT vendosi 3 masa administrative për mospërputhje të sasisë në etiketën e produktit, me sasinë e përshkruar në etiketën e ekspozuar të produktit në raft. Ndaj secilit subjekt u vendos masë administrative prej 200 000 (dyqind mijë) lekë.
Po ashtu, u vendos masë administrative ndaj një subjekti, pasi pas inspektimit iu gjet në përdorim instrument matës i paverifikuar.atsh


























