ATSH/ 1 Qershori shënon në mbarë botën Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve.
Por kjo ditë nuk është vetëm ditë feste, por njëherësh shërben për të sensibilizuar prindërit dhe fëmijët në lidhje me rëndësinë e përzgjedhjes së produkteve të sigurta për jetën dhe shëndetin e tyre.
Në këtë kuadër, Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT) organizoi një aktivitet me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit të prindërve mbi rëndësinë e përzgjedhjes së produkteve për kujdesin e fëmijëve të tyre, si dhe lodrat që ata përdorin.
Në Tiranë, stenda e ISHMT-së është ngritur në zonën e pedonales “Murat Toptani”, ku çdokush mund të marrë informacion mbi sigurinë e produkteve dhe lodrave për fëmijë.
Inspektorët e ISHMT-së u dhanë këshilla prindërve mbi mënyrat e përzgjedhjes së produkteve dhe lodrave për fëmijë, cilat janë standardet e harmonizuara shqiptare të cilat prezumojnë sigurinë për secilën kategori, si dhe institucionet ku mund të drejtojnë ankesat e tyre lidhur me to.


























