Në fshatin Jagodinë të Elbasanit, bujqësia po merr një drejtim të ri, falë punës së palodhur të fermerëve dhe mbështetjes së institucioneve vendore. Një nga shembujt më domethënës është ai i Gazmir Hysës, një fermer i përkushtuar, i cili ka sjellë një risi në bujqësinë lokale: kultivimin e rrushit në sera.
Ky investim, i pari i këtij lloji në zonë, po jep rezultatet e para me prodhim cilësor, të qëndrueshëm dhe me fitime të larta në krahasim me kulturat tradicionale. Rrushi i serave ka treguar rezistencë ndaj kushteve të paqëndrueshme klimatike, ka reduktuar humbjet në prodhim dhe ka sjellë një rendiment më të lartë për hektar.
Ky zhvillim nuk është i rastësishëm. Ai lidhet ngushtësisht me investimet strategjike në Unazën Bujqësore të Elbasanit, një projekt që ka krijuar infrastrukturën e nevojshme për të përmirësuar prodhimin, ruajtjen dhe tregtimin e produkteve bujqësore në zonat rurale të bashkisë.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, vijon të dëshmojë përkushtim të veçantë për zhvillimin e bujqësisë si një nga shtyllat e ekonomisë lokale. Ai ka theksuar vazhdimisht rëndësinë e mbështetjes për fermerët, duke krijuar mundësi për trajnime, akses në teknologji bujqësore, si dhe investime që i japin jetë projekteve inovative si ai i Gazmirit në Jagodinë.
“Fermerët tanë kanë ide, kurajë dhe potencial. Detyra jonë është t’i mbështesim në çdo hap, që nga mbjellja deri tek tregu,” është shprehur Llatja.
Sot, Jagodina po kthehet në një qendër moderne të prodhimit dhe tregtimit bujqësor, ku përveç tokës pjellore dhe traditës, gjithnjë e më shumë po mbizotërojnë eksperimentimi, teknologjia dhe mendësia e re. Shembulli i rrushit në sera është dëshmi se e ardhmja e bujqësisë në Elbasan është e gjallë dhe premtuese – nëse bashkë investojmë në të.
Edlira Xherri