Në fshatin Jagodinë të njësisë administrative Shirgjan, çdo parcelë toke ka një histori për të treguar – dhe ajo e Osman Sulës është një prej më frymëzuesve.
Prej më shumë se dy dekadash, Osman Sula i është përkushtuar me pasion bujqësisë. Me duart e tij ka kultivuar çdo rrënjë lakre Brukseli, kungulli, trangulli, speci e domateje. Me mund, durim dhe dashuri për tokën, ai është bërë pjesë e rrjetit të 250 fermerëve që çdo ditë furnizojnë tregjet e Elbasanit me produkte të freskëta dhe vendase.
Por suksesi i Osmanit nuk është vetëm një histori personale. Ai është një shembull i qartë i asaj që ndodh kur puna e ndershme bashkohet me vizionin dhe mbështetjen institucionale.
Falë angazhimit të Bashkisë Elbasan dhe vëmendjes së veçantë të kryetarit Gledian Llatja ndaj bujqësisë dhe zonave rurale, janë realizuar investime të rëndësishme në infrastrukturë, ujitje dhe përmirësim të kushteve të punës për fermerët.
“Kur institucionet të qëndrojnë pranë, puna merr tjetër kuptim,” – thotë Osman Sula. “Sot nuk jemi më të vetëm. E ndjejmë mbështetjen në çdo hap – që nga rrugët që na lehtësojnë transportin e deri te mundësitë për të zgjeruar prodhimin.”
Bashkia Elbasan vazhdon të investojë në zhvillimin rural, duke krijuar kushte që fermerët të mos largohen nga toka, por të ndërtojnë mbi të një të ardhme më të mirë për veten, familjen dhe komunitetin.
Nga toka, lind mundësia. Nga njerëzit që e punojnë, vjen zhvillimi.
Edlira Xherri