Kadetët panë nga afër fondin e vyer të Muzeut Ikonografik “Onufri”. Muzeu u vizitua në kuadër të një vizite zyrtare që po zhvillojnë në vendin tonë, kadetët e Marinës Ushtarake Turke. Gjatë ndalesës në Berat, ata patën mundësinë të njihen nga afër me trashëgiminë ikonografike shqiptare dhe veprat e mjeshtrit Onufri, si dhe të mësonin më shumë për historinë dhe kulturën e Beratit.
Janë me qindra vizitorë nga e gjithë bota, që çdo ditë mikpriten nga “Onufri”, i cili u ofron atyre një përvojë të pasur shpirtërore dhe artistike përmes ikonave të rralla dhe audioguidës në disa gjuhë të huaja.
Muzeu Ikonografik “Onufri” ndodhet në qendër të lagjes së banuar në kalanë e Beratit. Ai është përshtatur në ambientet e Katedrales “Fjetja e Shën Marisë”. Arkitektura ku është vendosur muzeu është kisha më e madhe e lagjes Kala. Ajo ka qenë Katedralja e qytetit të Beratit dhe së bashku me ndërtesat e Mitropolisë formonte një kompleks arkitektonik.
/a.f//r.e/