Federata Shqiptare e Pingpongut ka zhvilluar një tjetër aktivitet të rëndësishëm në radhët e moshave, teksa në Elbasan u mbajtën kampionatet kombëtare individuale dhe ekipore për moshat U-11, U-13 dhe U-17. Në këtë aktivitet morën pjesë 110 sportistë që përfaqësonin ekipet: Elbasani, Tomori, Tirana, Teuta, Vllaznia, Përmeti, Librazhdi dhe Gjikondi. Duelet dhuruan rivalitet dhe emocione, ndërsa në fund u shpallën edhe më të mirët. Paraqitje të shkëlqyer bëri pingpongistja 11-vjeçare Ersi Çobaj, e cila u shpall kampione për dy mosha, U-11 dhe U-17. Sa i përket moshës U-13 vendin e parë e meritoi Ana Kokoneshi e Elbasanit me trajnere Greta Kovaçi. Për meshkuj U-17 vendi i parë i takoi Aron Konit, për U-13 triumfoi Etjen Qoshja, ndërsa për U-11 Marvi Gjata. Në rang ekipor Tirana u shpall kampione për U-11 dhe U-13 si për femra edhe për meshkuj, ndërsa për U-17 kishim triumf të dyfishtë të Beratit.