Nga Edlira Xherri
Shahu po kthehet gjithnjë e më shumë në një mjet edukimi për fëmijët e Elbasanit. Në Qendrën Kulturore të Fëmijëve u zhvillua Kampionati i Përvitshëm i Shahut për nxënësit e ciklit 9-vjeçar, një aktivitet që vë në qendër zhvillimin e logjikës, përqendrimit dhe të menduarit strategjik.
Në këtë edicion, më të mirët u shpallën Erdet Alla nga shkolla “Sule Harri” dhe Arsa Çekani nga shkolla “Jorgji Dilo”, të cilët spikatën mes bashkëmoshatarëve për aftësitë e tyre analitike dhe qetësinë në lojë. Organizatorët i përgëzuan fituesit dhe theksuan rëndësinë e mbështetjes së talenteve që në moshë të hershme.
Interesi i madh për këtë aktivitet ka bërë që shahu të përfshihet tashmë si kurs i përhershëm në programin e QKF-së, pas kërkesave të vazhdueshme nga prindërit dhe nxënësit. Numri i lartë i pjesëmarrësve në kampionat tregon se fëmijët po orientohen gjithnjë e më shumë drejt aktiviteteve që forcojnë mendimin kritik dhe disiplinën.
Qendra Kulturore e Fëmijëve në Elbasan ofron një gamë të gjerë kursesh edukative, artistike dhe sportive, duke synuar një zhvillim të shëndetshëm dhe të balancuar të fëmijëve, larg ndikimit të tepruar të teknologjisë.
Përmes aktiviteteve të tilla, QKF vijon të mbetet një hapësirë e rëndësishme formimi, ku talentet e reja identifikohen, mbështeten dhe rriten çdo ditë.



























