Vendosja e posterave të kandidatit “ Bashkë fitojmë”, në objektet e kultit, akt i patolerueshëm
Afishimi i posterave nga ana e kandidatit të koalicionit “ Bashkë Fitojmë” në Elbasan, Luçano Boçi, edhe në ambjentet pranë objekteve të kultit, ka sjellë edhe reagimet e besimtarëve muslimanë. Duke e cilësuar si një akt të turpshëm dhe aspak i tolerueshëm për besimtarët muslimanë, vendosja e këtyre posterave përdhos vendes e paqet dhe besimit.
Në një postim në rrjetin social Facebook, kandidatja e Komunitetit Musliman në listat e Këshillit Bashkiak për PS, Eligerta Drizari ka reaguar ndaj kandidatit Luçiano Boçi.
Duke kërkuar një reflektim të thellë nga personat përgjegjës dhe një kërkim falje publike, Drizari, pohon se “ për hir të Zotit mos e fusni propagandën politike edhe brenda dyerve të kishave e të xhamive”.
Postimi i plotë:
Sot më shokoi ky gjest i shëmtuar, një poster fushate në një nga institucionet e kultit në qytetin e Elbasanit!
Natyrshëm përballë këtij fakti më zien në kokë një pyetje retorike :” Deri ku mund të arrijë etja për pushtet?!”
Si mundet që të përdhosen në këtë mënyrë në mes të ditës me diell vendet e paqes dhe të besimit?
Pavarësisht garës politike, pavarsisht ngjyrave, bindjeve dhe ideve personale, a mund të ruajmë etikën dhe moralin, a mund ta mbajmë këtë garë jashtë dyerve të shtëpive të Zotit?!
Ky veprim është i patolerueshëm dhe ofendues për të gjithë besimtarët dhe për atë që në thelb përfaqson ky vend faljesh dhe lutjesh!
Uroj që të ketë një reflektim të thellë nga personat përgjegjës dhe një kërkim falje publike!
Për hir të Zotit mos e fusni propagandën politike edhe brenda dyerve të kishave e të xhamive!



























